Ushtrimet që luftojnë pagjumësinë / Zbuloni si joga dhe ecja ju ndihmojnë të flini më mirë

Personat që vuajnë nga pagjumësia përballen rregullisht me vështirësi për të fjetur, për të qëndruar në gjumë ose zgjohen disa herë gjatë natës.
Sipas një studimi të ri, disa forma të lehta aktiviteti fizik, si joga, tai chi, vrapi i lehtë apo edhe ecja, mund të jenë ndër mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së gjumit.
Studiuesit rekomandojnë këto aktivitete për shkak të kostos së ulët dhe mungesës së efekteve anësore.

Pagjumësia, e karakterizuar nga vështirësi të vazhdueshme për të fjetur ose për të qëndruar në gjumë, si dhe nga zgjime të shpeshta gjatë natës, ndikon ndjeshëm në jetën e përditshme, duke shkaktuar lodhje, vështirësi në përqendrim dhe irritim.

Për të vlerësuar ndikimin e llojeve të ndryshme të aktivitetit fizik tek personat me pagjumësi, studiues në Kinë analizuan të dhënat e 22 studimeve me një total prej 1.348 pacientësh, duke shqyrtuar 13 ndërhyrje të ndryshme që synonin përmirësimin e gjumit, përfshirë shtatë lloje programesh ushtrimesh si: joga, tai chi, ecja apo vrapi i lehtë, ushtrime aerobike të kombinuara me ushtrime për forcim, terapi me aktivitet fizik dhe forma të përziera aerobike.

Joga rrit kohën e gjumit me gati 2 orë
Studimi zbuloi se joga, në veçanti, ndihmonte njerëzit të flinin pothuajse dy orë më shumë, si dhe reduktonte ndjeshëm kohën që kalonin zgjuar para gjumit, me rreth një orë më pak.

Ecja apo vrapi i lehtë mund të ulin ashpërsinë e pagjumësisë, ndërsa tai chi përmirëson ndjeshëm cilësinë e gjumit.
Sipas studiuesve, përqendrimi i jogës në vetëdijen trupore dhe frymëmarrjen e kontrolluar ndihmon edhe në uljen e ankthit dhe depresionit, duke lehtësuar fjetjen.

Tai chi, një art luftarak i lashtë kinez që përfshin lëvizje të ngadalta dhe të rrjedhshme, gjithashtu fokuson vëmendjen në frymëmarrje dhe relaksim fizik, çka ndihmon në balancimin emocional.

Ecja dhe vrapi ulin hormonin e stresit
Studimi thekson se ecja dhe vrapi i lehtë mund të ndihmojnë në uljen e kortizolit, hormonit të stresit, dhe në rritjen e melatoninës, hormonit që rregullon ciklin e gjumit.

Studiuesit shkruajnë:
"Gjetjet e këtij studimi nënvizojnë edhe një herë potencialin terapeutik të aktivitetit fizik në trajtimin e pagjumësisë."

Ata rekomandojnë që joga, tai chi dhe ecja të përfshihen më gjerësisht në shërbimet e kujdesit parësor dhe shëndetit komunitar, për shkak të kostos së ulët, përballueshmërisë dhe përfitimeve të shumta.

Nevojiten studime më të mëdha
Megjithëse disa nga studimet e përfshira kishin kufizime metodologjike, studimi i publikuar në BMJ Evidence Based Medicine ofron prova të qëndrueshme që mbështesin efektivitetin e ushtrimeve fizike në përmirësimin e cilësisë së gjumit.

Studiuesit bënë thirrje për më shumë studime klinike në shkallë të gjerë dhe me cilësi të lartë për të konfirmuar dhe zgjeruar rezultatet.

Ndër ndërhyrjet e tjera që u shqyrtuan ishin terapia konjitive-biheviorale (CBT), akupunktura, masazhi dhe ndryshimet në stilin e jetës.
Disa studime gjetën se terapia konjitive-biheviorale (CBT) është më efektive dhe ka ndikim më afatgjatë në trajtimin e pagjumësisë sesa medikamentet.