Njerëzit në mesjetë përhapnin trendet e mirëqenies siç i përhapim ne sot në TikTok
Shumica prej nesh nuk do ta konsideronin Mesjetën si kulmin e sofistikimit mjekësor, për shkak të perceptimit tonë për strategjitë e tyre barbare dhe, nga një këndvështrim modern, qesharake për të ndihmuar të sëmurët. Por, pavarësisht paragjykimeve, mjekësia mesjetare ishte në fakt më e avancuar dhe më e bazuar në shkencë nga ç'mendojmë.
Një grup studiuesish nga Universiteti Shtetëror i Nju Jorkut në Binghamton, Fordham, St. Andrews, Utrecht dhe Oslo analizuan qindra dorëshkrime mesjetare dhe i përmblodhën gjetjet e tyre në një katalog që sfidon supozimet tona rreth praktikave mjekësore gjatë Mesjetës së hershme, periudhë që shpesh etiketohet si “Epoka e Errët”.
Dhe duke parë rritjen aktuale të interesit për këshilla alternative apo natyrore për mirëqenie në rrjetet sociale, nuk është për t’u habitur që në botën e sotme ku gjithçka e vjetër bëhet e re përsëri, njohuritë mesjetare po bëjnë rikthimin e tyre edhe në platforma si TikTok.
Meg Leja, profesore e asociuar e historisë në Universitetin Binghamton, dhe ekipi i saj shqyrtuan me kujdes qindra dorëshkrime nga e gjithë Europa, të datuara deri në shekullin XI, duke kërkuar çdo përmendje të praktikave mjekësore.
Ajo që zbuluan i habiti. “Njerëzit ishin të angazhuar me mjekësinë në një shkallë shumë më të gjerë sesa ishte menduar më parë,” tha Leja në një deklaratë për shtyp. Duke zgjeruar kërkimin e tyre edhe në dorëshkrime që nuk kishin lidhje me mjekësinë, si ato për gramatikë, teologji dhe poezi, ata zbuluan se njerëzit e Mesjetës ishin shumë më të shqetësuar për shëndetin e tyre sesa kishin menduar historianët.
Ky zbulim jo vetëm që po ndihmon në përditësimin e katalogut të njohur si Corpus of Early Medieval Latin Medicine (CEMLM), një koleksion materialesh mjekësore nga Mesjeta, por gjithashtu thekson se njohuritë e lashta nuk kanë pse të mbeten në faqet e pluhurosura të dorëshkrimeve, ato mund të përjetojnë një rilindje në rrjetet sociale.
Platforma si TikToku janë kthyer në strehë për fakte dhe këshilla për mirëqenie alternative, që variojnë nga kurat natyrore te produktet shtëpiake për kujdesin e lëkurës dhe bukurinë. Kohët e fundit ka pasur një interes gjithnjë në rritje për praktikat e lashta, shumë prej të cilave janë çuditërisht të ngjashme me ato që bënin njerëzit në Mesjetë.
“Shumë prej gjërave që sheh në këto dorëshkrime po promovohen aktualisht online si mjekësi alternative, por në fakt ato ekzistojnë prej mijëra vitesh,” tha Leja.
Disa nga praktikat e pazakonta të përmendura në studim përfshijnë përdorimin e një përzierjeje të bërthamave të pjeshkës të shtypura me vaj trëndafili mbi ballë për të lehtësuar dhimbjet e migrenës, ose vendosjen e copëzave të hardhucave mbi trup për të nxitur rritjen e flokëve të dendura, ose për t’i hequr ato krejtësisht. Ndërkohë që njerëzit në Mesjetë zhvillonin praktika shëndetësore bazuar në njohuritë më të mira që kishin në atë kohë, suksesi i mundshëm (dhe kreativiteti i çuditshëm) mund të jetë pikërisht arsyeja pse ato tërheqin sot disa nga influencuesit e mirëqenies.
“Është e vërtetë që na mungojnë shumë burime nga ajo periudhë. Në këtë kuptim, është ‘e errët’. Por jo në kuptimin e ndonjë qëndrimi ‘kundër shkencës’, njerëzit në Mesjetën e hershme ishin mjaft të interesuar për shkencën, për observimin, për të kuptuar përdorimin e substancave natyrore dhe për të identifikuar modele e për të bërë parashikime,” shpjegoi Leja.
Ajo shtoi se njerëzit e Mesjetës ishin shumë të interesuar për kurat dhe dëshironin të vëzhgonin botën natyrore, duke shënuar çdo informacion që mundnin gjatë kësaj periudhe.
Leja shpjegoi në deklaratën për shtyp se koleksionet e mëparshme ishin përqendruar kryesisht te figurat e famshme të mjekësisë antike, si Hipokrati, i cili në fakt nuk pati shumë ndikim te njerëzit e Mesjetës. Në të ardhmen, ekipi shpreson të shtojë më shumë materiale në katalog për të ndihmuar studiuesit të kuptojnë më mirë mjekësinë mesjetare në një mënyrë më të plotë dhe gjithëpërfshirëse. /Discover Magazine
