“Thethi”, Softa: Aksioni ishte i IKMT-së, por s’kemi tejkalim të kompetencave nga Policia. Ja zgjidhja për parkimet dyshe
Për ekspertin e Sigurisë Fatjon Softa në tensionet e shënuara në aksionin e IKMT-së të shembjes së ndërtimeve pa leje në zonën turistike të Thethit në Shkodër, nuk ka asnjë tejkalim të kompetencave të Policisë së Shtetit.
Por Softa thotë se pavarësisht prezencës së saj, nuk është e mira që policia të përdoret vend e pa vend dhe në përplasje me të gjitha problematikat që ndodhin në të gjithë territorin e vendit.
“Ajo prandaj quhet Polici dhe duhet të jetë kudo ku ka probleme, por problemi nuk është tek policia, por tek instancat e shtetit që e ngarkon atë me përgjegjësi për çdo rast”, u shpreh ndër të tjera, Fatjon Softa.
Ndërkaq eksperti i Sigurisë foli edhe mbi nismën e fundit të Policisë së Shtetit lidhur me parkimet dyshe në rrugë.
“Ajo çfarë kam kritikuar është se kur punonjësi i policisë shikon një mjet nxjerr bllokun, vendos një gjobë dhe ikë. Jo, nuk mund të ikësh. Detyra jote si polic është të hapësh rrugën me çdo kusht.
Gjoba s’ka pikë rëndësie, duhet të hapet trafiku me patjetër dhe pastaj duhet të merren masat ndaj drejtuesit të mjeteve, t’i vendosësh gjobë, t’i sekuestrosh makinën, apo çfarëdo qoftë.
Por kjo mangësi bie edhe mbi pushtetin vendor, sepse nuk është policia që menaxhon rrugën, por bashkia apo pushteti lokal që verifikon ligjshmërinë”, u shpreh ndër të tjera, Fatjon Softa.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME EKSPERTIN E SIGURISË FAJTON SOFTA

