Kitaristi i U2, The Edge, merr shtetësinë irlandeze

Veterani i U2, The Edge, e ka përshkruar ceremoninë në të cilën atij ju dha shtetësia irlandeze si një “ditë monumentale”.

David Howell Evans, 63 vjeç, lindi në Essex të Anglisë nga prindër me origjinë nga Uellsi – por familja e tij u zhvendos në Irlandë kur ai ishte vetëm 1 vjeç.

Shtetësia e tij irlandeze iu dha në një ceremoni në Killarney, Co Kerry. Rreth 7 500 njerëz do të bëhen zyrtarisht shtetas irlandezë.

Ai e përshkroi si një ngjarje të gëzueshme. “Për të gjithë ne, kjo është një ditë monumentale”, tha ai për RTE.

“Jam pak vonë me dokumentet – kam jetuar në Irlandë që kur isha 1 vjeç, por kjo ishte koha e duhur dhe nuk mund të isha më krenar për vendin tim për gjithçka që përfaqëson dhe gjithçka që po bën”, tha ai.

“Po tregon lidership të vërtetë tani në botë dhe kjo nuk mund të kishte ardhur në një moment më të mirë për mua”, shtoi The Edge.

The Edge, kitaristi i U2, ka punuar me grupin që nga formimi i tij në Dublin në fund të viteve 1970, duke fituar shumë çmime muzikore.

U2 njihet gjithashtu për hit-e të tilla si “Sunday Bloody Sunday”, “New Year’s Day” nga albumi i tyre i vitit 1983 “War”.

Ata gjithashtu mbështetën fuqimisht përpjekjet për të siguruar paqen në Irlandën e Veriut me Marrëveshjen e Belfastit/Good Friday në vitin 1998.

Grupi luajti “Sunday Bloody Sunday” muajin e kaluar me një thirrje për të ndaluar luftërat në botë.