Luani i Partisë që shkel mbi ligjin dhe jetën: Kush e mbron shantazhin në Spitalin e Traumës?
Ultimatume, deklarata, thirrje për luftë ndaj korrupsionit. Këto janë fjalët që Kryeministri Edi Rama hedh në ajër sa herë flitet për drejtësi, ndershmëri dhe ligj. Por Shqipëria e ka parë mirë tashmë: këto fjalë janë veç tym e mjegull për të fshehur të vërtetën e hidhur.
Ligji në këtë vend nuk vlen për të gjithë. Dhe shembulli më ulëritës është pikërisht në zemër të sistemit shëndetësor, aty ku jeta e qytetarëve është më e pambrojtur: Spitali i Traumës.
Atje, mbi mjekët, mbi infermierët, mbi çdo profesionist të ndershëm të bluzave të bardha, qëndron hija e rëndë e një njeriu: Luani i Partisë, Luan Rosaj, drejtues i auditit të brendshëm. Ky njeri, i veshur me pushtetin që ia ka dhënë partia dhe mbështetja politike, ka ngritur një sistem shantazhi dhe frike që ka paralizuar spitalin. Me një dorë mban raporte auditimi që mund t’i nxijnë jetën çdo mjeku, dhe me tjetrën pret ryshfetin. Kush nuk paguan, kush nuk përkulet, kush guxon të bëjë detyrën me ndershmëri, shpallet fajtor në letër dhe bëhet shënjestër e një sulmi administrativ pa fund.
Ky është realiteti në Spitalin e Traumës. Ky është modeli i “luftës kundër korrupsionit” që na predikon qeveria. Sepse për Luanin e Partisë, ligji nuk ekziston. Ai ka shkelur haptazi Vendimin nr. 9, datë 24.12.2020, duke u përfshirë në fushata elektorale, duke përdorur funksionin publik për interesa politike, duke përdhosur çdo normë etike dhe ligjore. Dhe çfarë ndodhi? Asgjë. Heshtje. Heshtje nga Kryeministri. Heshtje nga Ministria e Shëndetësisë. Heshtje nga çdo institucion që duhet të vepronte.

Pse? Sepse Luani ka krahë të fortë. Sepse në këtë vend të kapur, të fortët e partisë janë mbi ligjin. Sepse drejtësia ndëshkon të vegjlit, por kur vjen puna tek Luani, ul kokën dhe hesht.
Ndërkohë, kush e paguan këtë? Mjekët. Ata që janë vija e parë e jetës. Ata që luftojnë për të shpëtuar pacientët, por që tani duhet të luftojnë edhe për të shpëtuar veten nga shantazhi i audituesit të partisë. Dhe mbi të gjitha, e paguan pacienti, qytetari i zakonshëm, që shkon në spital për shërim dhe gjen një sistem të kalbur nga ryshfeti, frika dhe padrejtësia.
Zoti Kryeministër, Zonjë Ministre e Shëndetësisë, deri kur do të mbroni këtë turp? Kush i mban krahët Luanit të Partisë? Në emër të kujt heshtni? Dhe nëse nuk keni frikë nga drejtësia, pse nuk e zbatoni ligjin aty ku duhet?
Mjaft më me fjalë boshe. Shqipëria nuk ka nevojë për ultimatume nga podiumet, por për veprime. Dhe veprimi i parë duhet të fillojë aty ku plagët janë më të thella: në sistemin shëndetësor, duke ndëshkuar pa mëshirë ata që e kanë kthyer në han privat.

Asnjë auditues i korruptuar nuk mund të jetë mbi jetën e qytetarëve. Asnjë Luani i Partisë nuk mund të qëndrojë mbi ligjin. Shqiptarët nuk presin më premtime. Shqiptarët presin që të paprekshmit të mos jenë më të paprekshëm!

