SHBA drejt marrëveshjeve tregtare para afatit të 9 korrikut! Paralajmërohen tarifa të larta për 100 vende: Priten njoftime të mëdha

Shtetet e Bashkuara janë pranë arritjes së disa marrëveshjeve të rëndësishme tregtare përpara afatit të 9 korrikut, datë kur pritet të hyjnë në fuqi tarifa më të larta për importet. Lajmi është bërë i ditur nga Sekretari amerikan i Thesarit, Skott Besent, gjatë një interviste për emisionin “State of the Union” në CNN.

Besent theksoi se në ditët në vijim priten disa njoftime të mëdha në lidhje me këto marrëveshje. Ndërkohë, ai paralajmëroi se administrata e presidentit Donald Trump do të dërgojë letra paralajmëruese për 100 vende me të cilat SHBA nuk kanë shkëmbime të konsiderueshme tregtare, duke i vënë në dijeni për tarifat e larta që do të rikthehen nga data 9 korrik.

“Presidenti Trump do t’u dërgojë letra disa prej partnerëve tanë tregtarë, duke i paralajmëruar se nëse nuk ecet përpara me marrëveshjet, atëherë më 1 gusht tarifat do të rikthehen në nivelin e vendosur më 2 prill. Kjo është arsyeja pse shpresoj se do të arrijmë shumë marrëveshje shumë shpejt,” u shpreh Besent.