“Prada” pranon se është frymëzuar nga sandalet tradicionale indiane “Kolhapuri”
Marka italiane e modës luksoze “Prada” tha se linja e saj e re e sandaleve ka rënjë indiane – disa ditë pasi dizajni shkaktoi një polemikë në Indi, sipas BBC.
Sandalet, të prezantuara në Javën e Modës në Milano javën e kaluar, kishin një model të thurur me majë të hapur që ngjante shumë me sandalet tradicionale “Kolhapuri” – të prodhuara në shtetet indiane, Maharashtra dhe Karnataka.
“Prada” i përshkroi sandalet si “sandale lëkure”, por nuk përmendi origjinën e tyre indiane, duke shkaktuar reagime dhe akuza për përvetësim kulturor në Indi.
Duke iu përgjigjur polemikave, “Prada” tha në një deklaratë se për të krijuar sandalet ishte frymëzuar nga modeli tradicional indian.
Një zëdhënës i “Prada” tha se kompania e modës kishte vlerësuar gjithmonë traditat e artizanatit, trashëgimisë dhe dizajnit – duke shtuar se ishte në kontakt me Dhomën e Tregtisë, Industrisë dhe Bujqësisë në Maharashtra – organi i shquar tregtar i industrisë në shtet.
Javën e kaluar, shefi i saj i kishte shkruar markës, duke thënë se dizajni ishte komercializuar pa u dhënë merita artizanëve – që e kishin ruajtur trashëgiminë e saj për breza.
Lorenzo Bertelli, kreu i Përgjegjësisë Sociale të Kompanisë “Prada”, iu përgjigj letrës së tij duke thënë se sandalet ishin në një fazë të hershme të dizajnit.
Ai gjithashtu tha se “Prada” ishte e hapur për një dialog me artizanët vendas indianë dhe se kompania do të organizonte takime pasuese për të diskutuar më tej këtë.
Sandalet “Kolhapuri” i kanë rrënjët në shekullin XII. Të bëra nga lëkura dhe ndonjëherë të lyera me ngjyra natyrale, sandalet tradicionale të punuara me dorë janë të forta dhe të përshtatshme për klimën e nxehtë të Indisë.

