Musk sulmon Trump për projektligjin e taksave dhe shpenzimeve

Miliarderi i teknologjisë Elon Musk nisi sot një seri postimesh në rrjetet sociale duke sulmuar presidentin amerikan Donald Trump – për projektligjin e tij për taksat dhe shpenzimet, dhe paralajmëroi politikanët që e votuan atë në primaret e financuara nga vetë ai.

“Çdo anëtar i Kongresit që bëri fushate për ulje të shpenzimeve qeveritare dhe më pas votoi menjëherë për rritjen më të madhe të borxhit në histori duhet të ulë kokën nga turpi”, shkroi Musk në platformën e tij X.

“Ata do ta humbin garën e zgjedhjeve në primaret e vitit tjetër, edhe nëse është gjëja e fundit që bëj në këtë botë”, shtoi ai.

Në një tjetër postim, Musk sulmoi atë që e quajti “partia e përbashkët Demokrato-Republikane”, duke thënë se nëse ky projektligj i çmendur për shpenzimet miratohej, Partia Amerikane do të formohej të nesërmen.

“Ka ardhur koha për një parti të re politike që vërtet kujdeset për popullin,” shkroi ai, duke e quajtur SHBA-në një shtet me një parti të vetme, “PORKY PIG PARTY” !”

Përplasja mes Musk dhe Trump, që tashmë është kthyer në një luftë të hapur fjalësh, nisi për shkak të projektligjit për taksat dhe shpenzimet.

Presidenti synon të realizojë premtimet e tij elektorale përmes këtij ligji, ndërsa Musk kërkon shkurtime më të mëdha të shpenzimeve.

Projektligji është ende duke u shqyrtuar në Senat. Nëse miratohet, ai duhet të kalojë edhe në Dhomën e Përfaqësuesve.

Trump ka ushtruar presion mbi kritikët republikanë për ta miratuar atë.

Kundërshtarët konservatorë financiarë, si Musk, e kanë kritikuar ligjin duke argumentuar se ai shkurton mjaftueshëm shpenzimet dhe rrit kufirin e borxhit.

Zyra e Pavarur për Buxhetin në Kongres vlerëson se projektligji i Senatit do t’i shtojë 3,3 trilionë dollarë deficitit buxhetor gjatë 10 viteve të ardhshme.