Lufta ndaj trafikut: Rubio shpall kufizimin e vizave për njerëzit e afërt të trafikantëve
Shtetet e Bashkuara kanë shpallur sot një politikë të re kufizimi vizash që synon të ndalojë hyrjen në vend të personave të lidhur me trafikimin ndërkombëtar të drogës, përfshirë fentanilin, një prej substancave më të rrezikshme që po shkakton një krizë të madhe shëndetësore në SHBA.
Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, politika e re bazohet në seksionin 212(a)(3)(C) të Aktit për Imigracionin dhe Shtetësinë dhe do të zbatohet ndaj anëtarëve të familjes, bashkëpunëtorëve të ngushtë personalë dhe afaristë të individëve që janë sanksionuar më parë sipas Urdhrit Ekzekutiv 14059, i cili synon personat e përfshirë në tregtinë globale të drogave të paligjshme.
'Po shpall një politikë të re për kufizimin e vizave për anëtarët e familjes dhe bashkëpunëtorët e ngushtë personalë dhe të biznesit të individëve të sanksionuar sipas Urdhrit Ekzekutiv 14059.
Do të përdorim të gjitha mjetet e nevojshme për të penguar dhe çmontuar rrjedhën e fentanilit dhe drogave të tjera vdekjeprurëse që hyjnë në vendin tonë.' -është shprehur Sekretari i Shtetit Marco Rubio mbi kufizimet e reja të vizave.
Në njoftimin zyrtar thuhet se:
"Vendosja e kufizimeve të vizave ndaj trafikantëve të drogës dhe rrjetit të tyre personal dhe afarist nuk do të shërbejë vetëm për t’i ndaluar të hyjnë në SHBA, por gjithashtu si një paralajmërim për ata që vazhdojnë të merren me aktivitete të paligjshme.”
Kriza e fentanilit në SHBA është bërë një ndër emergjencat më serioze kombëtare. Mbidozat mbeten shkaku kryesor i vdekjeve për amerikanët e moshës 18 deri në 44 vjeç.
Vetëm në vitin 2024, SHBA raportoi mbi 220 vdekje nga mbidozat çdo ditë, ndërsa më shumë se 40% e amerikanëve deklarojnë se njohin dikë që ka humbur jetën për shkak të mbidozës me opioide.
Departamenti i Shtetit ka bërë të qartë se do të përdorë të gjitha mjetet e nevojshme ligjore dhe diplomatike për të ndaluar dhe çmontuar rrjedhën e fentanilit dhe drogave të tjera të paligjshme drejt SHBA, me synimin për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve amerikanë.
