Fillojnë bisedimet e paqes SHBA-Iran
SHBA-ja ka filluar bisedimet me Iranin për një marrëveshje të përhershme paqeje, sipas të dërguarit të posaçëm Steve Witkoff.
Duke folur në Fox News, Witkoff tha se bisedimet janë “premtuese”.
“Ne tashmë po flasim me njëri-tjetrin, jo vetëm drejtpërdrejt, por edhe përmes bashkëbiseduesve”, tha ai.
”Marrëveshja e mundshme do të parashikonte që Irani të ketë një program bërthamor civil, por pa pasurimin e uraniumit në territorin iranian”, tha ai.
Witkoff i hodhi poshtë si “krejtësisht absurde” raportet e medias se sulmet e SHBA-së ndaj Iranit gjatë fundjavës e kishin kthyer programin bërthamor vetëm me disa muaj prapa.
”Centrifugat në Natanz dhe Fordow u dëmtuan ose u shkatërruan në një mënyrë që do të jetë pothuajse e pamundur për ta që ta ringjallin atë program sepse – sipas mendimit tim dhe sipas pikëpamjeve të shumë ekspertëve të tjerë që kanë parë të dhënat e papërpunuara – do të duhet një periudhë prej vitesh”, tha ai.
Të martën, disa media amerikane raportuan, duke cituar një vlerësim të inteligjencës, se vetëm hyrjet e objektit në Fordou, i cili ishte ndërtuar thellë në mal, ishin shkatërruar, por jo vetë ndërtesat nëntokësore.
Shkatërrimi i aftësisë bërthamore të Iranit ishte qëllimi kryesor i deklaruar i luftës i qeverisë së Izraelit kur ajo nisi sulmet më 13 qershor.
SHBA më pas iu bashkua sulmit ndaj objekteve bërthamore me bomba masive shkatërruese të bunkerëve.

