A shkakton kreatina rënie flokësh?

Kreatina është një nga suplementet më të njohura në treg për ndërtimin e muskujve, dhe me arsye të mirë. Studimet shkencore kanë vërtetuar se ajo ndihmon në shtimin e masës muskulore pa efekte anësore serioze. Megjithatë, që nga një studim i vitit 2009 që lidhte kreatinën me rritjen e hormonit DHT (dihidrotestosteron), janë përhapur thashetheme se ajo mund të shkaktojë rënie flokësh. Ky hormon lidhet me rënien e flokëve te burrat, por kërkimet e fundit nuk e mbështesin këtë pretendim.

Sipas fiziologut të ushtrimeve Jose Antonio, Ph.D., “kreatina është studiuar në mbi 500 studime shkencore dhe asnjë suplement tjetër nuk ka aq shumë të dhëna mbështetëse.” Ai thekson se deri më sot nuk ka prova që kreatina shkakton tullacëri apo rënie flokësh. Studimi i vitit 2009 përfshinte disa lojtarë regbi që përdorën kreatinë për tri javë dhe patën rritje të DHT-së, por asnjëri nuk pësoi rënie flokësh. Për më tepër, nivelet e tyre të DHT-së qëndruan brenda kufijve normalë.

12 studime të tjera nuk kanë arritur të përsërisin rezultatet e këtij studimi, por miti për rënien e flokëve nga kreatina vazhdon të qarkullojë në rrjetet sociale.

Çfarë është kreatina në të vërtetë? Ajo është një derivat i aminoacideve që ndihmon muskujt të prodhojnë energji gjatë ushtrimeve intensive me kohë të shkurtër. Disa studime tregojnë gjithashtu se mund të ndihmojë në funksionin e trurit dhe të përmirësojë gjendjen e pacientëve me sëmundje neurologjike si Parkinsoni apo Alzheimeri.

Sa i përket efekteve anësore, kreatina konsiderohet e sigurt nga FDA-ja. Efekti më i zakonshëm është shtimi në peshë për shkak të rritjes së masës muskulore. Raportime të rralla flasin për probleme me veshkat, sheqerin në gjak apo dehidratim, por këto nuk janë vërtetuar shkencërisht si pasojë e drejtpërdrejtë e kreatinës. Kafeina mund të ulë efektivitetin e saj.

Për meshkujt që nuk konsumojnë mish apo peshk, suplementi i kreatinës mund të jetë më i dobishëm. Por para përdorimit, rekomandohet konsultimi me mjek, sidomos nëse ka probleme me veshkat. Doza e rekomanduar është 3–5 gramë në ditë, dozat e larta nuk japin më shumë efekt.

Përfundimi? Kreatina nuk shkakton rënie flokësh dhe është një suplement i sigurt kur përdoret siç duhet. / Mens Health