VIDEO/ Tërmet në Peru, 1 v*ktimë dhe 36 të lënduar, lëkundjet shkaktuan rrëshqitje dheu

Një tërmet me magnitudë 6.1 ballë të shkallës Rihter goditi kryeqytetin peruan, Lima dhe rrethinat e tij të dielën. Nga tërmeti mësohet se ka humbur jetën një person dhe janë plagosur 36 të tjerë në Lima.

Lëkundjet e forta shkaktuan rrëshqitje toke dhe dëme në infrastrukturë. Tërmeti u regjistrua rreth 30 kilometra në jugperëndim të Callao, një qytet bregdetar dhjetë kilometra nga Lima. Policia njoftoi se një 36-vjeçar humbi jetën kur një mur u shemb mbi automjetin me të cilin po udhëtonte, në lagjen Independencia të kryeqytetit peruan.

Qendra kombëtare e operacioneve të emergjencës, COEN raportoi 36 persona janë plagosur në Lima, njëri prej të cilëve është shtruar në spital.

"U bëj thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë", tha presidentja Dina Boluarte, duke shtuar se nuk ishte lëshuar asnjë paralajmërim për cunami.

Videoja e transmetuar nga televizioni latin tregoi rrëshqitje toke në disa komunitete brenda dhe përreth Limës. Shërbimet e metrosë në kryeqytet u pezulluan për një kohë të shkurtër. Peruja ndodhet në të ashtuquajturën Unaza e Zjarrit të Oqeanit Paqësor, një zonë e gjerë me aktivitet të fortë vullkanik dhe sizmik që shtrihet pjesërisht përgjatë bregdetit perëndimor të kontinentit amerikan. Vendi regjistron qindra tërmete të dukshme çdo vit.