Ministri i Jashtëm i Francës: Programi bërthamor i Iranit, kërcënim për Izraelin dhe Evropën! Diplomacia është zgjidhja e vetme

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot, ka paralajmëruar se programi bërthamor i Iranit përbën një rrezik serioz për sigurinë e Izraelit dhe Evropës.

Në një deklaratë për radion franceze RTL, ai theksoi se diplomacia mbetet mënyra e vetme për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve mes Izraelit dhe Iranit.

“Programi bërthamor iranian është një kërcënim ekzistencial për sigurinë e Izraelit dhe më tej për sigurinë e Evropës. Mënyra më e mirë për të parandaluar dhe kufizuar këtë kërcënim është përmes diplomacisë,” u shpreh Barrot.

Deklarata vjen në një kohë të ndjeshme për Lindjen e Mesme, ku tensionet mes Izraelit dhe Iranit janë në rritje.

Ndërkohë, edhe Gjermania, së bashku me Francën dhe Britaninë e Madhe, janë shprehur të gatshme për të zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me Iranin për të ulur tensionet dhe për të kërkuar një zgjidhje diplomatike për çështjen bërthamore.