Arrigo Sacchi reagon ndaj kaosit tek Italia: Ranieri s’duhej të kishte refuzuar...

Ish-trajneri i famshëm i Italisë, Arrigo Sacchi, ka komentuar zhvillimet e fundit rreth Kombëtares Italiane në një intervistë për ‘La Gazzetta dello Sport’.

Ai ka shprehur zhgënjimin e tij për mënyrën se si po trajtohet përfaqësuesja, pas tërheqjes së Claudio Ranierit, i cili fillimisht e kishte pranuar të merrte drejtimin e skuadrës pas shkarkimit të Luciano Spallettit, por më pas ndërroi mendje.

"Kam përshtypjen se, në këtë moment, Italia po trajtohet keq, dhe kjo më dhëmb shumë", tha Sacchi.

"Para ndeshjes me Norvegjinë, lexova për një lojtar që kishte refuzuar ftesën e Spalletti-t dhe më pas u përplas publikisht me ish-trajnerin.

Tani kemi një njeri serioz si Ranieri që, papritur, pasi ishin bërë tashmë marrëveshjet për kontratën, tërhiqet.

Kështu Kombëtarja mbetet pa trajner dhe në një situatë totale kaosi.

A mund të them që Italia meriton një sjellje ndryshe?"

Sacchi theksoi gjithashtu se për të, të refuzosh Kombëtaren është e pajustifikueshme:

"Nuk i di arsyet e thella, por mendoj se nuk mund t’i thuash jo Kombëtares. Është një detyrë morale t’i përgjigjesh thirrjes. Kombëtarja është skuadra e të gjithë italianëve dhe, për një trajner, duhet të përfaqësojë majën e karrierës.

Çfarë mund të jetë më fisnike sesa të udhëheqësh një projekt që përfshin të gjithë vendin?"

Ai vazhdoi me një reflektim të thellë mbi krizën e futbollit italian:

"Mund të ketë arsye të tjera, por nëse është kështu, do të më befasonte shumë.

Nuk mund t’u kërkojmë lojtarëve të kenë ndjenjë për fanellën dhe shpirt skuadre, nëse më pas ndodhin situata të tilla. Kombëtarja vjen para gjithçkaje, para klubeve, para rivaliteteve krahinore.

Duhet ta kuptojmë që jemi në mes të një situate dramatike për futbollin tonë dhe për ta zgjidhur kërkohet guxim dhe përgjegjësi.

Dy herë rresht nuk jemi kualifikuar për Botëror dhe kjo ka qenë një goditje e rëndë për tifozët. Duhet t’i japim të drejtë shprehjes ‘nuk ka dy pa tre’? Shpresoj që jo."

Në fund, Sacchi komentoi mbi të ardhmen dhe përgjegjësinë e Federatës pas tërheqjes së Ranierit:

"Besoj se presidenti Gravina dhe drejtuesit e Federatës kanë mbetur të shtangur kur kanë mësuar për vendimin e Ranierit, por ky nuk është momenti për të analizuar të kaluarën.

Duhet të përveshim mëngët dhe të gjejmë sa më shpejt zgjidhjen më të mirë të mundshme.

Fatkeqësisht, miku im Ancelotti është transferuar në Brazil, përndryshe ai do të kishte qenë njeriu ideal për këtë rol."

Ky reagim i Sacchi-t pasqyron seriozitetin e krizës që po kalon futbolli italian dhe urgjencën për të vepruar me përgjegjësi e dinjitet në emër të një simboli kombëtar siç është Kombëtarja e Kaltër.