“Ka njerëz që vijnë në palestër vetëm për foto…”/ Instruktori: Është shumë gabim…
I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë instruktori i palestrës Remil Peqini. Ai ka folur më shumë për disa mite mbi palestrën apo trupin perfekt, por jo vetëm…
Pjesë nga intervista:
Palestra e ‘Instagram’-it vs. palestra e realitetit, ku e kupton ti që dikush vjen vetëm për foto ‘Instagram’-i dhe kush vjen realisht?
Padiskutim që ka njerëz që vijnë në palestër thjesht për këtë pjesën e ‘Instagram’-it dhe vihen re shumë kollaj kur ti shikon që ai rri gjysmë ore para pasqyrës dhe 10 minuta bën ushtrime, dhe më pas ti nuk e shikon më në palestër. Kohët e fundit ka shumë njerëz që po i kushtojnë shumë rëndësi vetes, po merren realisht me veten, jo vetëm fizikut por shëndetit mbi të gjitha. Dhe shikoj që stërviten mirë, ushqehen mirë dhe një foto në ‘Instagram’ nuk është se bën keq.
Si punon ti me këta klientë dhe për t’i hequr fokusin nga celulari?
Një seancë për palestër maksimumi mund të zgjasë deri në 40 minuta, por realisht shumica thonë që zgjat një orë e gjysmë. Kjo ndodh vetëm për shkak të telefonit. Dhe e vërteta është që kjo është shumë gabim, sepse dhe intensiteti në palestër, nuk është i duhuri që ti të marrësh efektin nga palestra.


