Studimi thotë se “martesa dëmton shëndetin mendor”, por psikologia Borjana Dine mendon ndryshe

Një studim i ri i publikuar në revistën “Alzheimer’s & Dementia”, ka zbuluar se individët e pamartuar – përfshirë ata që nuk janë martuar kurrë, të divorcuar apo të ve – kanë një rrezik 50% më të ulët për të zhvilluar demencë, krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre të martuar.

Lidhur me këtë çështje e ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” ishte e ftuar psikologia Borjana Dine.

“Lidhur me studimin mendoj se ky është një diskutim që i ka të dy anët e medaljes dhe nuk mund të jemi gjithmonë të prerë për diskutim të caktuar, por që padyshim që duhet të kapemi më shumë në kontekstin psikologjik.

Së pari unë mendoj se martesa është një institucion, një kult dhe një marrëveshje dypalëshe.

Dhe mes bashkëshortëve ka një përgjegjësi dhe një respekt të ndërsjellë mes njëri-tjetrit.

Të jemi realist, çdo ndërveprim mes partnerëve është shumë ndryshe, por thelbësore është dashuria dhe respekti për tjetrin se sa për veten.

Sa i përket ndryshimit kur jemi vetëm dhe kur jemi në martesë, sigurisht që shumë gjëra ndryshojnë.

Padyshim çdo gjë niset nga elementi i lirisë. Kur je vetëm, koha është e jotja, mënyra se si vepron me veten tënde është përgjegjësi e jotja personale, ndërsa kur hyn në një marrëdhënie martesore, çdo gjë është e ndarë më dysh.

Duhet të heqësh dorë nga diçka tënden, për t’u angazhuar në një mision ku çdo gjë është e re për ty.

Po ashtu, komunikimi cilësor është më i rëndësishëm se sa ai sasior”, u shpreh ndër të tjera psikologia Borjana Dine.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME PSIKOLOGEN BORJANA DINE