Fida: Kontrolli i hershëm është çelësi për kurimin e melanomës, femrat më të prekura nga melazma

Në një intervistë në "Ora News", dermatologia Monika Fida foli për rëndësinë e sensibilizimit kundër kancerit të lëkurës dhe melanomës, si dhe për shqetësimin në rritje të melazmave, veçanërisht tek femrat.

"Unë do të doja ta nisja me dy problematika kryesore. Së pari, doja ta nisja me sensibilizimin që bëjmë ne për luftën kundër kancerit të lëkurës dhe melanomës dhe së dyti, do të doja ta nis me një shqetësim që prek kryesisht femrat dhe më pak meshkujt siç janë melazmat ose njollat në lëkurë të shkaktuara nga rrezatimi ultravioletë.

Referuar problemit të kancerit të lëkurës dhe melanomës jemi përpjekur të gjithë si dermatolog dhe me ndihmën e mediave për të sensibilizuar popullatën për të bërë kontrollet periodike pranë qëndrave mjekësore, pranë klinikave dermatologjike, pranë QSUT, për të diagnostifikuar sa më herët kancerin e lëkurës ose melanomën.

Kanceri i lëkurës është një patologji e cila mund të jetë malinje ose jo por në shumicën e rasteve nëse është një melanomë malinje por e diagnostifikuar në fazat e hershme është totalisht e kurueshme. Në këtë mënyrë ne jemi më të ndërgjegjshëm për të qenë të fokusuar në diagnozën e hershme të kancerit të lëkurës dhe melanomës", u shpreh ndër të tjera Fida.