VIDEO/ Misteri i aksidentit ku vdiqën 3 shqiptarë: A u përfshi një makinë tjetër?
Tre shqiptarë humbën jetën në një aksident të rëndë rrugor pranë qytetit Koblenz në Gjermani.
Ngjarja e rëndë ndodhi në autostradën A48 pranë Koblenz-it.
Një Mercedes Vito, rreth orës 03:00, për arsye ende të paqarta, doli nga rruga, kaloi barrierën mbrojtëse në anën e djathtë dhe u përmbys disa herë.
Automjeti kishte në bord nëntë persona. Tre prej tyre humbën jetën në vendngjarje. Gjashtë të tjerë u plagosën rëndë dhe u dërguan në spitale të zonës nga shërbimet e ndihmës së shpejtë.
Zjarrfikësit ishin në vendngjarje me shumë forca. Disa nga të plagosurit ishin bllokuar brenda automjetit dhe u desh ndërhyrja me pajisje teknike për t’i liruar.
Në operacion morën pjesë edhe mjekë emergjence, disa ambulanca dhe policia.

Ndërkohë një zëdhënës i policisë tha se mbetet mister shkaku i aksidentit.
Drejtuesi i mjetit, një 22-vjeçar, nuk ishte nën efektin e alkoolit apo të drogës.
Por zëdhënësi tha se nuk përjashtohet mundësia që ai të ketë qenë duke përdorur një celular.
Më herët u tha se asnjë mjet tjetër nuk është përfshirë në këtë ngjarje. Por zëdhënësi i policisë tha se kjo gjë nuk përjashtohet kategorikisht.
Sipas tij, nuk dihet nëse personat ishin familjarë mes tyre, edhe pse në fakt po ktheheshin nga një festë familjare.

