Eurodeputetët paralajmërojnë se Hungarisë mund t’i ndërpriten fondet e BE-së për shkak të vetos së Ukrainës
Një grup anëtarësh të Parlamentit Evropian (MEP) i ka bërë thirrje Komisionit Evropian të pezullojë të gjitha fondet për Hungarinë – duke përmendur shkeljet e vlerave dhe ligjeve të BE-së nga qeveria e Viktor Orban, sipas “Der Standard”.
“Ne i kërkojmë Komisionit Evropian të rrisë presionin mbi qeverinë e Viktor Orban – që të ndalojë shkeljen e vlerave dhe ligjeve të BE-së”, sipas një letre të eurodeputetëve – drejtuar komisionerit të BE-se për Buxhetin, Piotr Serafin.
Ligjvënësit e justifikuan apelin e tyre duke deklaruar se autoritetet hungareze po minonin pavarësinë gjyqësore dhe po kufizonin lirinë e tubimit.
Letra u nënshkrua nga eurodeputetë nga i gjithë spektri politik, duke përfshirë të Gjelbrit, Socialdemokratët, Konservatorët, Liberalët dhe të Majtët.
“Hungaria nuk ka bërë asnjë progres të vërtetë që nga viti 2022. Në të njëjtën kohë, Budapesti ka pranuar hapur se Orban po përdor të drejtën e tij të vetos mbi vendimet që lidhen me Ukrainën – si levë për të siguruar lirimin e fondeve të ngrira të BE-së”, thuhet në letrën e eurodeputetëve.
