Fondi për shpëtimin e bankave arrin vlerën e 6.8 miliardë lekëve

Bankat tregtare kanë shlyer plotësisht edhe kontributin e vitit të gjashtë për Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme. Në prill të këtij viti, fondi u shtua me 1.04 miliardë lekë nga arkëtimi i kontributit vjetor të bankave. Vlera e kontributit të sektorit bankar është rritur me 6% krahasuar me një vit më parë, si rezultat i rritjes së vlerës së detyrimeve, kryesisht të depozitave, në bilancin e sektorit bankar vitin e kaluar.

Në total, pas derdhjes së kontributit vjetor të bankave për tetë vite që nga themelimi i tij, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme vlerësohet se ka arritur vlerën e 6.78 miliardëve lekë ose rreth 68.5 milionë eurove. Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme u krijua në vitin 2018 dhe ka si qëllim shpëtimin nga falimentimi bankat që mund të ndodhen në vështirësi në të ardhmen, pa qenë nevoja për të kërkuar kontribut nga paratë e taksapaguesve.

Në zbatim të ligjit “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”, fondi duhet të arrijë nivelin e synuar prej 0.5% të totalit të detyrimeve të sistemit bankar, të llogaritura si diferencë midis aktiveve totale dhe kapitalit rregullator të të gjitha bankave të licencuara në Republikën e Shqipërisë, brenda 10 viteve nga hyrja në fuqi e ligjit. Mbështetur në vlerën e deritanishme të detyrimeve, projeksioni është që, brenda vitit 2027, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme në Banka të arrijë vlerën e 8.9 miliardë lekëve.

Burimi kryesor i financimit të fondit janë kontributet e rregullta vjetore që paguhen nga bankat, me qëllim plotësimin e nivelit të synuar të fondit, si edhe të ardhurat nga investimi i këtyre kontributeve. Ligji reflekton kuadrin e ri të Bashkimit Europian me qëllim shpëtimin e bankave, që u ndërtua pas krizës financiare që nisi në vitin 2008. Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, në përputhje me politikën e administrimit të mjeteve financiare të fondit, politikë kjo që miratohet nga Banka e Shqipërisë.

Ky fond mund të përdoret nga Banka e Shqipërisë për disa qëllime, të tilla si garantimi i aktiveve ose pasiveve të bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme, bankës urë apo shoqërisë për administrimin e aktiveve; plotësimi i nevojës për likuiditet të bankës në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, bankës urë apo shoqërisë për administrimin e aktiveve; blerja e aktiveve të bankës në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, për të kontribuuar në kapital dhe për të siguruar fondet e tjera të nevojshme për bankën urë apo shoqërinë për administrimin e aktiveve; kompensimi i humbjeve të pambuluara që lindin për shkak të përjashtimit të detyrimeve të pranuara të kreditorëve të bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme; mbulimi i shpenzimeve për administrimin e Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme etj./ Monitor