Kina do t'i japë 500 milionë dollarë shtesë Organizatës Botërore të Shëndetësisë përgjatë pesë viteve

Kina do t'i japë Organizatës Botërore të Shëndetësisë 500 milionë dollarë shtesë gjatë pesë viteve, tha një zyrtar në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë këtë të martë. Agjencia e OKB-së po kërkon fonde shtesë për të kompensuar humbjen e donatorit të saj më të madh, Shteteve të Bashkuara. Zëvendëskryeministri kinez Liu Guozhong e bëri njoftimin në një fjalim në Gjenevë.

"Bota tani po përballet me ndikimin e veprimeve të njëanshme dhe politikës së pushtetit që çojnë në sfida të mëdha për sigurinë globale shëndetësore... Multilateralizmi është një mjet i sigurt për të adresuar vështirësitë", u tha Liu përfaqësuesve të shteteve anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë që merrnin pjesë në asamble.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka rishikuar tashmë buxhetin e saj për vitet 2026-2027 duke e ulur me 21% në 4.2 miliardë dollarë për shkak të vështirësive të saj financiare, të shkaktuara kryesisht nga vendimi i administratës Trump.

Buxheti i ri që pritet të vendoset nga asambleja sot do të parashikojë një rritje prej 20% të kontributeve të detyrueshme të vendeve gjatë dy viteve të ardhshme dhe do ta bëjë Kinën shtetin e ri donator më të madh. Nuk është ende e qartë nëse 500 milionë dollarët që Kina njoftoi se do të dhuronte e përfshijnë tashmë këtë rritje të anëtarësimit.