Samiti i Komunitetit Politik Evropian/ Erdogan, Rutte, Merz dhe Vuçiç largohen nga Tirana

TIRANË- Samiti i Komunitetit Politik Evropian ka nisur diskutimet në tryezën e dytë të bisedimeve. Bëhet me dije se disa nga liderët janë larguar nga Tirana, pas përfundimit të tryezës së parë të bisedimeve. 

Ndër të parët që janë larguar ishin presidenti i Turqisë, Rexhep Tayip Erdogan dhe kryeministri i Lituanisë, Gintautas Paluckas.

Më pas u larguan edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz si edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

Erdogan dhe Merz mbajtën fjalën e tyre pak më herët, ku kancelari gjerman theksoi vendosmërinë për t’i dhënë mbështetje të fortë ushtarake Ukrainës.

Erdogan nga ana tjetër tha se për të tejkaluar krizën e besimit në arenën ndërkombëtare duhet të krijohet një arkitekturë e re dhe e drejtë e qeverisjes globale.

Ai shtoi se ka një potencial të jashtëzakonshëm për të bashkëpunuar në shumë fusha që nga energjia te lëndët minerale e teknologjia teksa mori si shembull dhe vendin e tij.

Teksa foli për konfliktin në Lindjen e Mesme, Erdogan tha se presin nga Europa të shfaqë interesin e duhur për vendosjen e armëpushimit në Gazë.