Rebelët Huthi të Jemenit qëllojnë me raketë balistike pranë aeroportit Ben Gurion në Izrael, raportohet për të plago*ur

Sirena alarmi u dëgjuan sot në disa rajone të Izraelit pas lëshimit të një rakete balistike nga rebelët Houthi të Jemenit, ka njoftuar ushtria izraelite.

Raketa dyshohet se ka rënë pranë Aeroportit Ndërkombëtar Ben Gurion në Tel Aviv, duke shkaktuar plagosjen e një personi që ndodhej në zonën e parkimit të aeroportit.

Sipas ushtrisë izraelite, raketa e lëshuar nga Houthit nuk u arrit të ndalohej, pavarësisht përpjekjeve.

Ajo përfundoi në një zonë të pyllëzuar brenda perimetrit të aeroportit.

Si pasojë e incidentit, autoritetet vendosën të pezullojnë përkohësisht të gjitha uljet dhe ngritjet nga aeroporti.

Nga momenti kur u identifikua lëshimi i raketës nga Jemeni e deri në mbërritjen e saj në hapësirën ajrore izraelite kaluan vetëm disa minuta, sipas burimeve ushtarake.

 “Po zhvillohet një hetim mbi shpërthimin pranë Aeroportit Ben Gurion. Si pjesë e procedurave standarde të sigurisë, është vendosur pezullimi i fluturimeve,” njoftoi Autoriteti i Aeroporteve të Izraelit në një deklaratë zyrtare.