Vietnami përkujton 50-vjetorin e mbarimit të luftës me sytë drejt paqes dhe bashkimit
Vietnami festoi sot 50-vjetorin e përfundimit të luftës me Shtetet e Bashkuara dhe formimin e kombit të tij modern, me një paradë ushtarake dhe me fokus në një të ardhme paqësore, sipas AP.
Rënia e Sajgonit, më 30 prill 1975, shënoi fundin e një Vietnami të ndarë në Veriun komunist dhe Jugun aleat të SHBA-së, dhe zyrtari më i lartë i vendit u tha turmave se dekadat e kaluara kishin çuar në një unitet gjithnjë në rritje.
“Të gjithë vietnamezët janë pasardhës të Vietnamit. Ata kanë të drejtë të jetojnë dhe të punojnë, të kenë lirinë për të ndjekur lumturinë dhe dashurinë në këtë vend”, tha To Lam, sekretari i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Vietnamit.
“Në frymën e mbylljes së së kaluarës, respektimit të dallimeve, duke synuar të ardhmen, e gjithë partia, populli dhe ushtria zotohen ta bëjnë Vietnamin një vend paqeje, uniteti, prosperiteti dhe zhvillimi”, shtoi ai.
Mijëra njerëz ngritën kampe gjatë natës në rrugët e ish-kryeqytetit të Vietnamit të Jugut, i cili u riemërua Ho Shi Min, pasi ra në duart e trupave të Vietnamit të Veriut dhe Viet Kongut, për të pasur pikën më të mirë të vëzhgimit për paradën. Shumë prej tyre qëndruan në rrugë më vonë gjatë pasdites ndërsa prisnin shfaqjet me fishekzjarrë, të planifikuara për në mbrëmje.
“Tani është koha për paqe”, tha Nguyen Thi Hue, një banor i qytetit. “Paqja është ëndrra që të gjithë në botë e duan”, shtoi ai.
Trupat kineze, laosiane dhe kamboxhiane marshuan pas formacioneve të ushtrisë vietnameze, duke përfshirë disa që mbanin uniforma të ngjashme me ato që visheshin nga trupat e Vietnamit të Veriut gjatë luftës. Helikopterë që mbanin flamurin kombëtar dhe avionë fluturuan mbi paradën pranë Pallatit të Pavarësisë, ku një tank i Vietnamit të Veriut depërtoi me forcë nëpër portat në ditën e fundit të luftës.
Pranë udhëheqësit të Vietnamit ishin ulur ish-udhëheqësi i Kamboxhias, Hun Sen dhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Laosit, Thongloun Sisoulith.
To Lam tha se përtej një fitoreje ndaj SHBA-së dhe Vietnamit të Jugut, rënia e Sajgonit ishte një “pikë referimi e lavdishme” që i dha fund një lufte 30-vjeçare për pavarësi që filloi me luftën për të larguar trupat koloniale franceze.
Ai tha se Vietnami ia detyron pozicionin e tij në botë sot mbështetjes nga Bashkimi Sovjetik, Kina dhe solidaritetit nga Laosi dhe Kamboxhia, si dhe nga njerëzit “progresivë” në të gjithë botën, përfshirë SHBA-në.
Për Pham Ngoc Son, një veteran që luftoi për komunistët, sot ekziston “vetëm hapësirë për paqe dhe miqësi” midis SHBA-së dhe Vietnamit.
Kalimi i kohës ka çuar në përmirësimin e marrëdhënieve me SHBA-në. Ky vit shënon gjithashtu 30-vjetorin e lidhjeve diplomatike midis Vietnamit dhe SHBA-së.
Në vitin 2023, Vietnami i përmirësoi marrëdhëniet e tij me SHBA-në në atë të një partneri strategjik gjithëpërfshirës, statusin më të lartë diplomatik që i jep çdo vendi dhe të njëjtin nivel marrëdhëniesh si Kina dhe Rusia.
Megjithatë, ka shenja të reja të tendosjes në marrëdhënien me Uashingtonin, me vendosjen e tarifave të rënda nga presidenti Donald Trump dhe anulimin e shumë ndihmave të huaja, të cilat kanë ndikuar në përpjekjet për ndreqjen e pasojave të luftës në Vietnam.
E ardhmja e këtyre projekteve tani është në rrezik për shkak të shkurtimeve të gjera të administratës Trump për USAID-in. Për më tepër, vendi i varur nga eksportet është i prekshëm në një ekonomi globale të bërë të brishtë për shkak të planeve tarifore të Trump. Rreth 13 000 persona, përfshirë trupa, milicë, veteranë dhe qytetarë morën pjesë në paradë.
