EMRAT/ Vodhën me dh*në banesën e të moshuarit, arrestohen 3 persona
Tre të rinj janë arrestuar si autorë të dyshuar të një grabitjeje me dhunë ndaj një 66-vjeçari në fshatin Gajush të Lezhës, ndodhur më 28 prill. Sipas të dhënave hetimore, autorët kanë hyrë në banesën e të moshuarit në orët e para të mëngjesit dhe i kanë marrë një shumë parash prej 1500 dollarësh, 880 eurosh, 50 000 lekësh dhe një armë gjahu.
Njëri prej të dyshuarve, Lorenc Lleshi, u ndalua në pikën kufitare të Muriqanit, në tentativë për t’u larguar nga vendi. Ndërkohë, babai i njërit prej të arrestuarve është proceduar penalisht pasi dyshohet se ka ndihmuar autorët pas krimit.
Janë sekuestruar gjithashtu dy automjete dhe disa telefona të dyshuar si të përfshirë në veprimtarinë kriminale. Çështja është në ndjekje nga Prokuroria e Lezhës.
Njoftimi i policisë:
Lezhë/Zbardhet dinamika e vjedhjes me dhunë, në banesën e një të moshuari, në fshatin Gajush, kryer më datë 28.04.2025.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Telefonata”.
Arrestohen 3 autorët e dyshuar të vjedhjes së disa shumave parash dhe 1 arme gjahu, në banesën e të 66-vjeçarit.
Njëri prej bashkëpunëtorëve u kap në tentativë për të ikur nga Shqipëria, nëpërmjet PKK Muriqan.
Procedohet penalisht babai i njërit prej të arrestuarve, për përkrahje të autorëve.
Sekuestrohen 5 celularë, si dhe 2 automjete të përdorura gjatë vjedhjes.
Si rezultat i hetimeve të thelluara të kryera menjëherë pas telefonatës për vjedhje me dhunë, në banesën e një 66-vjeçari, në fshatin Gajush, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë dhe ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Lezhës, zbardhën dinamikën e rastit dhe arrestuan autorët e dyshuar.
Konkretisht, në kuadër të operacionit “Telefonata”, u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit Keviljano Ndoj, 22 vjeç, banues në Mirditë (me precedent penal), Andi Sanco, 21 vjeç, banues në Korçë dhe Lorenc Lleshi, 22 vjeç, banues në Tiranë (u kap nga shërbimet e PKK Muriqan, në dalje).
Nga hetimet dyshohet se 3 shtetasit janë implikuar në vjedhjen me dhunë të 1500 dollarëve, 880 eurove, 50 000 lekëve dhe 1 arme gjahu, në banesën e një 66-vjeçari, në fshatin Gajush, kryer në orët e para të mëngjesit të datës 28.04.2025.
Në vijim të operacionit, nisi procedimi në gjendje të lirë, për babanë e shtetasit Keviljano Ndoj, shtetasin Gj. N., 50 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

