Marrëveshje bashkëpunimi mes Fakultetit Filozofik të Prishtinës dhe QKLL-së
Fakulteti Filozofik i Prishtinës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL) nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi e cila pritet të thellojë bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e librit dhe kulturës.
KosovaPress bën të ditur se, në kuadër të këtij bashkëpunimi, QKLL dhuroi 67 tituj të rinj për bibliotekën e Fakultetit Filozofik, si një shenjë vlerësimi dhe mbështetjeje me rastin e 65-vjetorit të këtij fakulteti.
Pjesëmarrës në ceremoni ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, i cili tha se kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit në fushën e dijës, artit dhe kulturës.
“Ne do të jemi në hapat e duhur. Ne do të jemi në ritmin e duhur dhe do të mbështesim çdo projekt që do të çojë më tej këtë vëllazëri dhe këtë unitet tonin të përbashkët në fushën e dijës, arsimit, artit dhe kulturës”, theksoi Malaj.
Drejtorja e Qendrës së Librit dhe Leximit në Shqipëri, Alda Bardhyli, tha se është shumë e rëndësishme që Shqipëria dhe Kosova të bashkëpunojnë në fushën e librit dhe kulturës.
“Ky është një fakultet që ka lidhje me mendimin dhe shoqëritë tona kanë nevojë për mendimin. Çdo nismë që ka në thelbin e saj mendimin, ndërgjegjësimin dhe pranimin sa më shumë në diskursin publik të intelektualëve, është e bukur dhe nevojshme. Uroj të ketë sa më shumë lexues për këto libra dhe të pasurohet kjo bibliotekë”, tha Alda Bardhyli.
Ndërkaq, dekani i Fakultetit Filozofik, Bekim Baliqi, u shpreh mirënjohës për dhurimin e titujve të librave për fakultetin që ai udhëheq.
“Dhuratë më e mirë sesa libri nuk mund të ketë një fakultet si për studentë dhe për staf e të gjithë ne. Ne jemi shumë mirënjohës”, shtoi ai.
Mes tjerash u tha se ky bashkëpunim është vetëm fillimi sa i përket projekteve dhe aktivitete të përbashkëta në vazhdim në çdo aspekt të punës me librin.
