SKANDALI NË HOLLYWOOD/ Nis rigjykimi në New York, Harvey Weinstein përballë akuzave të reja për ...
Harvey Weinstein është përballë një rigjykimi në Nju Jork, ku akuzohet për abuzim seksual ndaj tre grave, përfshirë një modele që pretendon se u sulmua në moshën 16-vjeçare. Prokurorët thonë se ai përdori fuqinë e tij në Hollywood për të manipuluar dhe shfrytëzuar gratë, ndërsa mbrojtja mohon çdo akuzë.
Një nga figurat më të fuqishme të Hollivudit dikur, Harvey Weinstein, u rikthye këtë javë në gjykatë për t’u përballur me akuza të reja për abuzim seksual.
Ky gjyq është i treti për të në pesë vjet, pas një dënimi të mëparshëm për te njëjtën akuzë në Nju Jork.
Gjykata e Apelit rrëzoi dënimin e tij të mëparshëm në vitin 2024, dhe tani ai përballet me akuza të tjera të ngritura nga disa gra.
Në sallën e gjyqit, prokurorët e akuzuan 73-vjeçarin se kishte përdorur ndikimin e tij të madh në industrinë e filmit për të shfrytëzuar dhe abuzuar me tre gra, përfshirë një modele që thotë se ishte vetëm 16 vjeç në atë kohë.
Sipas ndihmës-prokurores Shannon Lucey, producenti shfrytëzonte takimet e punës për të joshur viktimat në dhomën e tij dhe për të ushtruar presion ndaj tyre.
Ndërkohë, avokati i Weinstein, Arthur Aidala, kundërshtoi akuzat, duke i quajtur të motivuara nga fuqia e madhe ekonomike e regjisorit dhe fama e tij dhe argumentoi se marrëdhëniet mes tij dhe vajzave ishin të karakterizuara përfitimi reciprok.
Aktualisht, Weinstein përballet me dënime të mundshme të reja, ndërkohë që mbetet i dënuar me 16 vite burg në Kaliforni për një rast të veçantë përdhunimi.
Ai ndodhet në një njësi të sigurt në spitalin Bellevue për shkak të problemeve shëndetësore.
Harvey Weinstein, bashkëthemelues i Miramax dhe producent i filmave të njohur si Pulp Fiction dhe Shakespeare in Love, është akuzuar për abuzim seksual nga mbi 100 gra, ndërsa lëvizja #MeToo ka marrë hov pikërisht pas denoncimeve ndaj tij.

