Barcelona mes rasteve të panumërta, Flick "zbulon" yjet e rinj pa minutazh loje
Pas një periudhe jo të lehtë për repartin ofensiv, Barcelona më në fund gjeti qartësinë në sulm, të paktën në ndërtim loje, në fitoren 1-0 kundër Mallorca.
Një ndeshje e dominuar nga blaugranat, që megjithëse gjuajtën plot 40 herë në portën kundërshtare, arritën të realizojnë vetëm një gol. Sidoqoftë, trajneri Hansi Flick u shfaq i kënaqur me paraqitjen dhe ritmin e skuadrës së tij.
“Bëmë një ndeshje shumë të mirë, kishim shumë raste për të shënuar. Në fund përfundoi 1-0, pa pësuar gol, kështu që jam i kënaqur. Portieri i tyre ishte shumë i mirë, por jam vërtet i kënaqur me lojtarët e mi. Bëmë më pak gabime se në ndeshjet e kaluara”– deklaroi Flick pas ndeshjes.
Rikthimi i Ansu Fati dhe surpriza Fort
Trajneri gjerman u ndal edhe te dy nga surprizat e formacionit: Ansu Fati dhe Héctor Fort. Të dy lojtarët kishin minuta të rëndësishme në këtë sfidë dhe u përgjigjën pozitivisht: “Ansu, Héctor… Të gjithë bënë një punë shumë të mirë. Ishte pozitive të shihja se të gjithë ndihen pjesë e këtij ekipi”.
Në veçanti për Ansu Fati, ai shtoi: “Shihet që shokët e skuadrës e mbështesin, po ashtu edhe tifozët. Ishte një ditë shumë e mirë për të. Kjo ndeshje do ta ndihmojë të rikuperojë vetëbesimin dhe të besojë më shumë në vetvete”.
Menaxhimi i minutave dhe fleksibiliteti taktik
Flick gjithashtu vuri theksin te rëndësia e menaxhimit të skuadrës në një kalendar intensiv ndeshjesh: “Detyra ime është të menaxhoj minutat e lojtarëve, duke parë gjithmonë kalendarin dhe duke menduar për ndeshjen e ardhshme, që është më e rëndësishmja”.
Pedri, Dani Olmo dhe ndërlidhja në mesfushë
Lidhja në fushë mes Pedrit dhe Dani Olmos gjithashtu u komentua nga tekniku gjerman, i cili përmendi rëndësinë e gjithë grupit: “Nuk janë vetëm këta dy lojtarë me ndikim. Jemi të lumtur që i kemi, por sot kishim shumë mundësi të tjera për të bërë ndryshime me lojtarët. Për mua është e rëndësishme që ata që futen në lojë, dinë si të luajnë dhe si të lidhen me të tjerët”.
Flick nuk kurseu as lëvdatat për Pedrin: “Është e vështirë të thuash cili është limiti i tij. Është i jashtëzakonshëm kur ka topin, por edhe kur nuk e ka. Të gjithë mund të shohin se sa shumë na ndihmon”.
Në përfundim, ai vlerësoi gjithashtu paraqitjen e Eric García: “Jam shumë i surprizuar nga niveli me të cilin luajti sot. Është një pozicion tjetër, ku mund të luajë, gjithmonë di çfarë duhet të bëjë”.


