Zemërimi nuk është i lindur, por e sjellin rrethanat e vendit ku jetoni

Do të ishte naive të argumentohej se zemërimi, ky reagim natyror, por shpesh i papranueshëm për nga mënyra si shfaqet në shoqëri, nuk ka vlerë.

Në fakt, është i domosdoshëm. Është një sinjal që diçka nuk shkon, një alarm emocional që kërkon ndryshim.

E kemi parë në letërsi, e kemi parë në histori, e shohim sot në rrugë, në sytë e njerëzve, në komentet online. Zemërimi nuk është më një episod. Është një klimë.

E kujtojmë ndoshta se nisi si në ‘Iliadën’ me një fyerje, me një përplasje, me një padrejtësi.

Por ndryshe nga zemërimi i Akilit, që kishte një cak dhe një fund, zemërimi i sotëm është i përhershëm, pa objekt të qartë, pa lehtësim. Është thjesht... aty.

Zemërimi është bërë i përditshëm. E takojmë në autobus, në trafik, në sportelet e shërbimeve, në telefonata me klientë, në supermarket, në email-et pa përgjigje, në aplikacionet që nuk punojnë, në radhën e pritjes për gjithçka.

E ndjejmë kur dikush ecën ngadalë përpara nesh, kur ndalemi në dritën jeshile për tre sekonda, kur një faturë e pashpjegueshme na del nga asgjëja.

Të gjithë, në një moment ose një tjetër, jemi gjendur duke thënë me vete: Po çfarë po ndodh me njerëzit? Por ndoshta pyetja më e saktë do të ishte: çfarë po ndodh me ne?

Në një realitet ku pasiguria dhe zhgënjimi janë emocione konstante, zemërimi nuk vjen nga askund.

Është produkt i një stresi të akumuluar: për të ardhmen, për jetën e përditshme, për mungesën e drejtësisë, për ndjesinë se asgjë nuk ndryshon  ose, edhe më keq, se po përkeqësohet.

Një numër në rritje njerëzish e identifikojnë zemërimin si emocionin e tyre dominues.

Dhe kjo nuk është rastësi. Kur jeta të vendos në një kurth të pafuqisë, zemërimi bëhet mënyra e vetme për të mos u ndjerë plotësisht pasiv. Bëhet reagim. Edhe nëse është pa adresë.

Shpesh mendojmë se ngjarjet e mëdha, një aksident, një padrejtësi publike, një vendim politik  janë ato që ndezin zemërimin.

Por e vërteta është se ai nis shumë më herët. Në fakt, ato janë vetëm pika që derdhin një gotë tashmë të tejmbushur.

Zemërimi i sotëm lind nga:

1.Koha e tepërt që humbasim në pritje, qoftë në institucione apo në rrugë

2.Stresi ekonomik, ku një familje shpenzon gjysmën e të ardhurave për të mbuluar nevojat bazë

3.Kostoja e jetesës, që rritet më shpejt se çdo përmirësim i pagave

4.Qasja e vështirë në shërbime themelore, si interneti, mjekësia apo strehimi

5.Ndjenja se nuk dëgjohesh, nuk vlerësohesh dhe nuk përfaqësohesh

Në shumë mënyra, zemërimi është një mesazh që nuk mund të injorohet më. Ai nuk është gjithmonë i arsyeshëm apo i ndershëm, por është i sinqertë.

Njerëzit nuk zemërohen kot. Zemërohen sepse janë të lodhur, të pafuqishëm, të lënë pas dore. Sepse kanë dhënë shumë dhe kanë marrë pak. Sepse e ndiejnë që po kërkohet shumë prej tyre, dhe po ofrohet shumë pak në këmbim.

Nëse ky emocion nuk gjen rrugëdalje, ai kristalizohet në kulturë. Kthehet në pasivitet, në cinizëm, në agresion të përmbajtur..

Dhe, më e rënda: në një shoqëri të konsumuar emocionalisht, ku vetë ideja e ndryshimit humbet kuptim sepse ndihen të gjithë shumë të lodhur për të reaguar.

Po. Por jo përmes nënshtrimit ndaj ndjenjës. As përmes mohim. Zemërimi duhet dëgjuar, jo vetëm toleruar. Duhet kuptuar si simptomë, jo si rrezik. Sepse nëse shohim përtej shpërthimit, shpesh gjejmë nevojën për dinjitet, për drejtësi, për kuptim.