Harvardi refuzon kërkesat e Trump për t’i dhënë fund programeve të DEI

Universiteti i Harvardit, një nga më të mëdhenjtë në SHBA dhe më i njohuri në botë, tha se ndryshimet e politikave të kërkuara nga presidenca Trump do të vendosin “kërkesa të paprecedentë” ndaj institucionit dhe për këtë arsye ai po i refuzon ato.

Me këtë vendimin, rrezikon të humbasë aksesin në fondet federale me vlerë deri në 9 miliardë dollarë.

Universiteti mori një letër nga një task forcë federale javën e kaluar, duke përshkruar kërkesat shtesë të politikave që do të “ruanin marrëdhëniet financiare të Harvardit me qeverinë federale”.

Ndër urdhrat e përfshira në letrën e administratës janë eliminimi i programeve të diversitetit, barazisë dhe përfshirjes (DEI) të Harvardit, ndalimi i maskave në protestat e kampusit, reformat për punësimet dhe pranimet e bazuara në merita dhe reduktimi i fuqisë së mbajtur nga profesorët dhe administratorët “të cilët janë më të përkushtuar ndaj dijetarëve sesa ndaj aktivizmit”.