Gjasa për një telefonatë Trump - Putin
Bisedimet mes të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff dhe presidentit rus, Vladimir Putin, të premten në Rusi, zgjatën më shumë se katër orë, pa asnjë rezultat konkret, por një zëdhënës rus tha se udhëheqësit e SHBA-së dhe Rusisë mund të realizojnë një bisedë telefonike.
Ndër temat e diskutuara në takimin e Shën Petërburgut ishte lufta e Rusisë kundër Ukrainës.
Sipas Interfax, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov nuk përjashtoi mundësinë e një tjetër telefonate midis Putinit dhe presidentit të SHBA Donald Trump pas diskutimeve.
Peskov deklaroi se ”Witkoff kishte sjellë një mesazh nga Trump, të cilin Putin e dëgjoi”.
Bisedimet për aspekte të ndryshme të zgjidhjes së konfliktit në Ukrainë janë duke vazhduar.
”Çështjet janë komplekse dhe takimi ishte një mundësi e mirë për të paraqitur pozicionin dhe shqetësimet e Rusisë, të cilat Witkoff do t’ia përcjellë Trumpit”, tha Peskov.
Pasi Witkoff mbërriti në Rusi, Trump rriti presionin, duke shkruar në platformën e tij Truth Social se ”Rusia duhet të lëvizë”.
“Shumë njerëz kanë vdekur, mijëra në javë, në një luftë të tmerrshme dhe të pakuptimtë. Një luftë që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë dhe nuk do të kishte ndodhur, po të isha president!!!”, theksoi Trump.
Para takimit me Putinin, Witkoff kishte zhvilluar bisedime me negociatorin e Kremlinit, Kirill Dmitriev.
Dmitriev kishte udhëtuar në Uashington për diskutime në fillim të këtij muaji.
Witkoff kishte vizituar më parë Rusinë në shkurt dhe mars, gjatë së cilës u takua edhe me Putinin.
Trump thuhet se ishte i zemëruar me Putinin në fund të marsit, sipas raporteve të medias.
Në takimin e fundit të ministrave të Jashtëm të NATO-s, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio e bëri të qartë se Trump nuk do të toleronte më taktikat vonuese të presidentit rus.
”Nëse një armëpushim nuk arrihet deri në fund të muajit, Trump mund të vendosë sanksione shtesë ndaj Rusisë”, raportoi faqja amerikane e lajmeve Axios, duke cituar një burim anonim.
Ukraina ka mbrojtur veten kundër një pushtimi rus në shkallë të plotë për më shumë se tre vjet me mbështetjen perëndimore.
Kohët e fundit, Shtetet e Bashkuara u përpoqën të ndërmjetësonin një armëpushim 30-ditor gjatë negociatave.
Ndërsa Kievi ra dakord me propozimin, Putin vendosi parakushte për një armëpushim të tillë.


