Çfarë është skleroza laterale amiotrofike (ALS)? Sëmundja e rrallë që sfidon trupin, por jo shpirtin...

Skleroza Laterale Amiotrofike (ALS), e njohur gjithashtu si sëmundja e neuroneve motorike, është një sëmundje progresive dhe e pashërueshme që prek sistemin nervor, duke shkaktuar paralizë graduale të muskujve.

Pavarësisht se është e rrallë, ALS mbart pasoja të rënda dhe shpesh të pamëshirshme për ata që diagnostikohen me të.

Çfarë është ALS?

ALS ndikon në qelizat nervore të quajtura neurone motorike, të cilat janë përgjegjëse për kontrollin e lëvizjeve vullnetare të muskujve – si ecja, të folurit, përtypja apo frymëmarrja.

Me kalimin e kohës, këto qeliza dëmtohen dhe vdesin, duke bërë që trupi të humbasë gradualisht aftësinë për të funksionuar normalisht, ndërsa aftësitë mendore zakonisht mbeten të paprekura.

Simptomat e para dhe zhvillimi i sëmundjes

ALS fillon zakonisht me simptoma të lehta, që shpesh neglizhohen, si:

– Dobësi në krahë ose këmbë

– Vështirësi në të folur apo në gëlltitje

– Dridhje apo ngërçe të muskujve

– Humbje të ekuilibrit

Me përparimin e sëmundjes, pacientët humbasin aftësinë për të lëvizur, për të komunikuar, për të ngrënë dhe në fund edhe për të marrë frymë pa ndihmë mekanike.

Shkaqet e ALS nuk janë tërësisht të njohura, megjithëse besohet se një kombinim i faktorëve gjenetikë dhe mjedisorë luan rol. Sëmundja shfaqet më shpesh te personat mes moshës 40 dhe 70 vjeç, dhe burrat preken disi më shpesh se gratë. Në rreth 5-10% të rasteve, ALS është e trashëguar. Por në pjesën më të madhe të rasteve, ajo shfaqet pa ndonjë shkak të qartë.

Fatkeqësisht, ALS aktualisht nuk ka shërim. Megjithatë, ekzistojnë disa trajtime që mund të ngadalësojnë përparimin e sëmundjes dhe të përmirësojnë cilësinë e jetës. Terapitë fizike, pajisjet ndihmëse për frymëmarrje, si dhe mbështetja psikologjike janë gjithashtu thelbësore për menaxhimin e simptomave.

Kujtojmë se një nga figurat më të njohura që ka jetuar me ALS ishte fizikani Stephen Hawking, i cili, pavarësisht diagnozës që në moshë të re, vazhdoi të kontribuonte në shkencë për dekada me radhë. Rasti i tij është një dëshmi e fuqisë së mendjes dhe shpirtit përballë kufizimeve fizike.

Së fundmi, aktori Eric Dane bëri publike diagnozën e tij me ALS, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes familjare dhe të qëndrimit pozitiv në përballje me sëmundjen.