SHBA vendos sanksione të reja ndaj “flotës hije” të Iranit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione të reja që synojnë “flotën hije” të Iranit – duke përmendur një individ dhe grupe me qendër në Indi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – anijet e të cilëve kanë transportuar naftë iraniane, sipas “Reuters”.

Departamenti Amerikan i Thesarit citoi shtetasin indian, Jugwinder Singh Brar me qendër në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) – i cili zotëron një kompani transporti me një flotë prej afro 30 anijesh.

“Anijet e Brar angazhohen në transferime me rrezik të lartë të naftës iraniane në ujërat jashtë Irakut, Iranit, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Gjirit të Omanit”, tha Departamenti Amerikan i Thesarit në një deklaratë.

“Sanksionet synojnë gjithashtu dy entitete me qendër në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe dy entitete me qendër në Indi – që zotërojnë dhe operojnë anijet e Brar që kanë transportuar naftë iraniane në emër të Kompanisë Kombëtare të Naftës Iraniane dhe ushtrisë iraniane”, sipas deklaratës.

“Regjimi iranian mbështetet në rrjetin e tij të transportuesve dhe ndërmjetësve të paskrupullt si Brar dhe kompanitë e tij për të mundësuar shitjen e naftës dhe financimin e aktiviteteve të tij destabilizuese”, tha sekretari Departamentit Amerikan të Thesarit, Scott Bessent.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të fokusuara në ndërprerjen e të gjithë elementëve të eksporteve të naftës të Iranit, veçanërisht atyre që kërkojnë të përfitojnë nga kjo tregti”, tha ai.