Haxhiu: Ose e bëjmë qeverinë, ose shkojmë në zgjedhje
Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka deklaruar se ose do ta bëjë ky subjekt politik qeverinë e re, ose në të kundërtën vendi do të shkoj në zgjedhje.
Ajo këto komente i bëri pasi takimit që patën përfaqësuesit e partive politike me kryetarin në detyrë të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ku u bisedua për përgatitjet e seancës konstituive të Kuvendit.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nuk beson që opozita do ta bëjë qeverinë e vetme, por është optimiste që Lëvizja Vetëvendosje do ta formojë qeverinë.
Para gazetarëve, Haxhiu tha aktualisht dihet vetëm emri i kryeministrit, ndërsa emrat tjerë të bartësve qoftë në Kuvend apo qeveri të Kosovës nuk dihen ende.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani datën 15 prill e ka caktuar si datë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit e para u rendit Lëvizja Vetëvendosje e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës, pastaj Lidhja Demokratike e Kosovës dhe më pas koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti pas takimit me përfaqësues të pakicave, ka ftuar në takim liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
