Anulohet papritur konferenca për shtyp Trump-Netanyahu
Një konferencë shtypi e planifikuar midis presidentit të SHBA, Donald Trump dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, pas takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë, është anuluar papritur.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë njoftoi anulimin pa dhënë një arsye.
Megjithatë, disa gazetarë u lejuan të vëzhgonin fillimin e takimit në Zyrën Ovale, sipas disa korrespondentëve.
Netanyahu po viziton Uashingtonin në mes të luftës në Gaza dhe një armëpushimi të dështuar, si dhe vendimit të Trump për të vendosur tarifa minimale prej 10% për importet në SHBA.
Trump e kishte pritur më parë Netanyahun në fillim të shkurtit, duke e bërë atë mysafirin e parë të huaj të mandatit të tij të dytë.
Presidenti amerikan e priti kryeministrin izraelit me një shtrëngim duarsh jashtë Shtëpisë së Bardhë.
Para takimit, Netanyahu deklaroi se synonte të diskutonte paketën e re tarifore të SHBA-së, përpjekjet për të siguruar lirimin e pengjeve të Hamasit në Rripin e Gazës dhe kërcënimin e paraqitur nga Irani.
Një tarifë shtesë prej 17% për produktet izraelite që vijnë në SHBA do të hyjë në fuqi të mërkurën.
Sipas ”Wall Street Journal”, Izraeli eksporton mallra me vlerë 22 miliardë dollarë në vit në Shtetet e Bashkuara.
