Meksika vlerëson trajtimin “preferencial” të tarifave gjithëpërfshirëse të Trump
Ministri i Ekonomisë së Meksikës, Marcelo Ebrard vlerësoi “trajtimin preferencial” të Meksikës – pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump prezantoi tarifat e reja globale gjithëpërfshirëse, sipas CNN.
Trump detajoi të mërkurën tarifat e reja për shumë vende, duke përfshirë një tarifë minimale 10% “bazë” për importet.
Meksika dhe Kanadaja fqinje – edhe pse i nënshtrohen ende tarifave të mëparshm – u përjashtuan nga tarifat e reja reciproke.
Presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum tha se ky trajtim ishte për shkak të marrëdhënieve pozitive të Meksikës me SHBA-në.
“Nuk ka tarifa shtesë për Meksikën dhe kjo është një gjë e mirë për vendin”, tha dje Sheinbaum në një konferencë për shtyp, duke mbrojtur marrëdhëniet e qeverisë së saj me administratën e Trump.
“Kjo ka të bëjë me marrëdhëniet e mira që kemi ndërtuar me qeverinë amerikane, bazuar në bashkëpunim, por me respekt”, shtoi ajo.
“Strategjia e presidentes Sheinbaum ka funksionuar. Meksikës i është bërë një trajtim preferencial”, tha Ebrard në të njëjtën konferencë për shtyp.
Menjëherë pasi u betua, Trump njoftoi se do të zbatonte një tarifë 25% për të gjitha importet nga Kanadaja dhe Meksika, por më vonë ra dakord të ndalonte tarifat për produktet e mbuluara nga Marrëveshja SHBA-Meksikë-Kanada (USMCA) për tregtinë e lirë.
Shtëpia e Bardhë tha të mërkurën, se ky përjashtim dhe tarifat për produktet që nuk janë në përputhje me USMCA do të vazhdojnë derisa Trump të përcaktojë që çështjet e fentanilit dhe imigracionit të paligjshëm të jenë zgjidhur.
Megjithatë, Meksika mbetet subjekt i një tarife të veçantë prej 25% për makinat e importuara në SHBA.
Sheinbaum tha se Meksika mbetej në dialog me SHBA-në për ndikimin e tarifave amerikane në industrinë e automobilave.
Gjatë konferencës për shtyp, Ebrard theksoi se vendet e tjera që kishin marrëveshje tregtare me SHBA-në ishin ende subjekt i tarifave reciproke.
“E vetmja marrëveshje tregtare me tarifa 0% është USMCA”, tha ai.
Sheinbaum tha se Ebrard kishte të ngjarë të udhëtonte në Uashington javën e ardhshme për të diskutuar ndikimin e tarifave në sektorët e automobilave, çelikut dhe aluminit që nuk përputheshin me USMCA.


