Bruce Springsteen publikon shtatë albume me këngë të panjohura

Ylli i rock-ut, Bruce Springsteen do të publikojë shtatë albume me këngë të panjohura më parë të regjistruara gjatë një periudhe 35-vjeçare.

”Tracks II: The Lost Albums” përfshin 83 këngë të regjistruara midis 1983 dhe 2018.

“Shpesh lexoja për veten time në vitet ’90 sikur të kisha një periudhë të humbur apo diçka të tillë. Në realitet, unë punoja gjatë gjithë kohës. Gjatë pandemisë, ajo që bëra gjatë asaj periudhe kohore ishte të përfundoja gjithçka që kisha në kasafortën time”, theksoi në një video 75-vjeçari.

“Për një arsye ose një tjetër, ndjeva se diçka mungonte në disa prej tyre, ose thjesht nuk më dukeshin të plota në atë kohë. Me kalimin e kohës, kam krijuar një koleksion të vogël albumesh të plota që, për një arsye apo një tjetër, nuk u publikuan kurrë”, theksoi ai.

Të enjten ai publikoi këngën ”Rain In The River”, e cila është pjesë e albumit ”Perfect World”.

Gjashtë albumet e tjera titullohen ”LA Garage Sessions ’83”, ”Streets Of Philadelphia Sessions”, ”Faithless”, ”Somewhere North Of Nashville”, ”Inyo” dhe ”Twilight Hours”.