Le Pen: Franca nuk mund të quhet ‘vend demokratik’ për sa kohë gjyqtarët marrin urdhra nga politikanët

Liderja e ekstremit të djathtë në Francë, Marine le Pen, ka reaguar ashpër pas akuzave që gjykata ngriti ndaj saj, ku sipas saj, këto janë vetëm dënime politike.

Ajo u zotua se forca e saj politike do të luftojë, për të rivendosur demokracinë në vend.

Le Pen theksoi se Franca nuk mund të quhet vend demokratik, për sa kohë gjyqtarët marrin urdhra nga politikanët.

“Ata na vodhën zgjedhjet legjislative përmes manovrave skandaloze. Dua të jem e qartë, ne nuk do të lejojmë që zgjedhjet presidenciale të na vidhen ne francezëve.

Prandaj do ta mbrojmë veten dhe do të përdorim të gjitha mënyrat në dispozicion për të lejuar që populli të zgjedhë liderin e ardhshëm të tij.

Ne do të fitojmë. Nëse liderët politikë të gjyqtarëve janë ata që vendosin se kush mund të kandidojë dhe për kë mund të votojnë francezët, atëherë ne nuk jemi më në një demokraci.

Dhe kështu do të luftojmë, të gjitha mjetet ligjore do të analizohen dhe përdoren” tha Le Pen.