Kryeministri Kurti reagon ashpër për sulmin në Zveçan: Akt me elemente terroriste, hetim i plotë ndaj autorëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me shpërthimin e një granate dore në objektin e Postës së Kosovës në Zveçan, duke e cilësuar atë një akt me elemente terroriste.

“Me shqetësim të thellë dhe vendosmëri të palëkundur për të mbrojtur stabilitetin dhe rendin kushtetues, dënojmë fuqishëm sulmin me elemente terroriste ndaj objektit të Postës së Kosovës në Zveçan, i kryer sot me datë 1 prill 2025”, thekson Kurti.

Ai ka shprehur shqetësimin për praninë e individëve të lidhur me grupe kriminale dhe terroriste, duke përmendur Millan Radoiçiçin, i cili, sipas tij, po mbrohet nga autoritetet serbe për qëllime shoviniste.

“Ky akt dhune është një orvatje për të cenuar sigurinë dhe për të penguar integrimin e qytetarëve në sistemin ligjor dhe institucional të Republikës së Kosovës. Brengosëse në këtë situatë mbetet fakti se individë të njohur për lidhjet e tyre me grupe kriminale dhe terroriste, si Millan Radoiçiç, vazhdojnë të mbeten të lirë, e po strehohen dhe po shfrytëzohen nga pushteti në Serbi për qëllime shoviniste”, vijon Kurti.

“Qëndrimi në liri i kriminelit Radoiçiç dhe mosdorëzimi i tij autoriteteve të shtetit tonë është një mesazh i rrezikshëm që inkurajon kriminelë e terroristë, ekstremistë të ndryshëm, që të vazhdojnë veprimet e tyre me tendencë destabilizuese.

Përmes krijimit të tensioneve artificiale, po tentohet të pengohet funksionimi normal i institucioneve dhe të minohet zhvillimi ekonomik e përparimi demokratik i vendit tonë.

Sulmi tinëzar me granatë në terrin e natës është orvatje nga dëshpërimi dhe pafuqia e atyre që nuk sundojnë më në veriun e Kosovës”, vijoi Kurti.

Kurti ka garantuar se Posta e Kosovës do të vazhdojë të operojë në Zveçan dhe se institucionet po kryejnë hetime të plota për të sjellë autorët para drejtësisë.

“Posta e Kosovës do të qëndrojë aty si ndërmarrje publike, xhami i ri do të vendoset e shërbimet legale do të vazhdojnë të ofrohen për të gjithë qytetarët.

Institucionet relevante janë duke kryer hetime të plota për të sjellë para drejtësisë autorët e këtij akti të rëndë.

Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit rajonal, por nuk do të lejojmë asnjë përpjekje për të sfiduar rendin tonë kushtetues dhe sigurinë e qytetarëve tanë.

Shteti do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri për të siguruar që të gjithë qytetarët, pa dallim, të jetojnë në një mjedis të sigurt dhe të lirë”, ka përfunduar Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.