“Kemi humbur gjithçka”/ Fitër Bajram nën predhat izraelite, si e kremtuan banorët e Gazës festën me xhamitë e shkatërruara dhe në luftë për mbijetesë

Palestinezët në Rripin e Gazës nuk kishin shumë për të festuar këtë Fiter Bajram, kur po përballen me furnizime ushqimore që po pakësohen me shpejtësi dhe me mungesën e një armëpushimi.

Shumë prej tyre bënë lutje jashtë xhamive të shkatërruara në ditën që shënon fundin e muajit të agjërimit të Ramazanit, pasi të paktën 20 palestinezë u vranë të dielën, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Festa myslimane supozohet të jetë një rast i gëzueshëm, kur familjet mblidhen për gosti dhe blejnë rroba të reja për fëmijët, por shumica e dy milionë palestinezëve të Gazës thjesht po përpiqen të mbijetojnë.

“Është Bajrami i Trishtimit,” tha Adel al-Shaer pasi mori pjesë në lutjet në natyrë në qytetin qendror të Deir el-Balah. “Ne humbëm të dashurit tanë, fëmijët tanë, jetën tonë dhe të ardhmen tonë. Ne humbëm studentët tanë, shkollat dhe institucionet tona. Ne humbëm gjithçka.”

Njëzet anëtarë të familjes së tij të gjerë janë vrarë në sulmet izraelite, duke përfshirë katër nipa të rinj vetëm disa ditë më parë, tha ai ndërsa shpërtheu në lot.

Më 18 mars, Izraeli i dha fund papritur një armëpushimi të brishtë dy mujor ndërsa rifilloi fushatën e tij intensive të bombardimeve dhe operacionet tokësore në Gaza. Izraeli që atëherë ka vrarë qindra civilë palestinezë dhe nuk ka lejuar ushqim, karburant apo ndihmë humanitare të hyjë për katër javë.

Ndërmjetësuesit arabë po përpiqen ta kthejnë armëpushimin në rrugën e duhur dhe Hamasi tha të shtunën se kishte pranuar një propozim të ri nga Egjipti dhe Katari, detajet e sakta të të cilit nuk dihen. Izraeli tha se kishte avancuar propozimin e tij në koordinim me Shtetet e Bashkuara, të cilat gjithashtu kanë ndërmjetësuar.

Sulmet e Izraelit në Gaza kanë vrarë më shumë se 50,000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të enklavës.