SHBA paralajmëron kompanitë franceze të respektojnë urdhrin ekzekutiv të Trump
Administrata Trump u ka shkruar kompanive franceze që mbajnë kontrata të qeverisë amerikane, duke i urdhëruar ato të respektojnë një urdhër ekzekutiv që ndalon programet e diversitetit, barazisë dhe përfshirjes, thanë dy persona të njohur me këtë çështje.
Kompanive u është thënë të konfirmojnë pajtueshmërinë e tyre në një pyetësor të veçantë të titulluar "Certifikimi në lidhje me përputhshmërinë me Ligjin Federal kundër Diskriminimit në fuqi". Reuters ka parë një kopje të pyetësorit.
E përditshmja franceze e biznesit Les Echos, e cila raportoi për herë të parë ekzistencën e letrës vonë të premten, tha se mesazhi u ishte dërguar firmave nga ambasada amerikane në Paris.
Një zëdhënës i ambasadës nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Një zyrtar i afërt me ministrin francez të financave, Eric Lombard tha se çështja do të merret me qeverinë e SHBA.
"Kjo praktikë pasqyron vlerat e qeverisë së re amerikane. Ato nuk janë të njëjta me tonat. Ministri do t'ua kujtojë këtë homologëve të tij në qeverinë amerikane," tha zyrtari.
Reuters nuk mundi të identifikonte menjëherë se cilat kompani kishin marrë letrën. Kompanitë e mbrojtjes dhe infrastrukturës ishin ndër ato që rrezikuan ekspozimin, raportuan mediat.
Nuk ishte menjëherë e qartë nëse letra dhe pyetësorë të ngjashëm, u ishin dërguar kompanive të huaja në vende të tjera evropiane.
Trump ka kërkuar të zhdukë iniciativat e DEI-së, të cilat ai dhe kritikët e tjerë thonë se janë diskriminuese, nga qeveria dhe sektori privat.
