Ministrit Çeku sërish i refuzohet vizita në Preshevë
Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku i është refuzuar sërish vizita në Luginën e Preshevës.
Kjo është bërë e ditur nga kryetarja e Preshvës, Ardita Sinani e cila tha se diskriminimi ndaj shqiptarëve po vazhdon.
Presheva, Medvegja dhe Bujanoci janë tri komuna të banuara me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.
“Për herë të dytë, pushteti i Vuçiqit ndalon Ministrin Hajrulla Çeku të vizitojë Preshevën. Ky është një tjetër akt i politikës nacionaliste serbe, e cila fshihet pas një fasade pro-evropiane, por në realitet ushqen një regjim autoritar që shkel të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve”, shkroi Sinani të mërkurën në Facebook.
Sinani tha se Presheva është e vendosur të mbajë lidhjet me të gjitha vendbanimet shqiptare si dhe të forcojë bashkëpunimin me Kosovën dhe Shqipërinë.
“Fatkeqësisht, ky regjim [i Serbisë] vazhdon të përkëdhelet nga Perëndimi për arsye gjeostrategjike, ndërsa shqiptarët e Luginës përballen me diskriminim dhe izolim. Por ne nuk ndalemi”, tha Sinani.

