Pala ruse e kënaqur me bisedimet e SHBA-së për armëpushimin në Ukrainë

Negociatorët rusë kanë sinjalizuar kënaqësi pas bisedimeve të zhvilluara me përfaqësuesit e SHBA-se në Arabinë Saudite, si hapi i parë drejt përfundimit të luftës në Ukrainë.

“Në përgjithësi, mbetet përshtypja e një dialogu konstruktiv që është i domosdoshëm dhe i nevojshëm”, tha sot negociatori rus, Grigory Karasin, sipas agjencisë shtetërore ruse e lajmeve TASS.

“Diskutimet e zhvilluara dje në Riad do të vazhdojnë dhe do të përfshihen edhe shtetet e tjera dhe Kombet e Bashkuara”, njoftoi ai, pa dhënë detaje të mëtejshme për rezultatin e bisedimeve.

Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini pritet të publikojnë sot një deklaratë të përbashkët për bisedimet, pasi ekipet e tyre negociuan mbi 12 orë, një ditë më parë.

Takimi, i mbajtur me dyer të mbyllura në hotelin “Ritz Carlton”, ishte menduar të fokusohej në sigurimin e një armëpushimi – si hapi i parë drejt përfundimit drejt fundit të luftës 3-vjeçare në Ukrainë.

Delegacioni rus udhëhiqej nga Grigory Karasin, kreu i komitetit të Punëve të Jashtme në Këshillin e Federatës Ruse, dhe Sergej Beseda, një zyrtar i lartë i inteligjencës dhe i besuari i ngushtë i presidentit Vladimir Putin.

Ndërsa Ukraina ka miratuar propozimin e presidentit amerikan Donald Trump për një armëpushim gjithëpërfshirës 30-ditor, presidenti rus Vladimir Putin ka vendosur disa parakushte, duke përfshirë kërkesën për ndalimin e ndihmës ushtarake perëndimore për Kievin.

Negociatat u përqëndruan në hapa më të vegjël, të tillë si një armëpushim i mundshëm në Detin e Zi për të mbrojtur rrugët e anijeve dhe një angazhim për t’u përmbajtur nga goditja e infrastrukturës energjetike.

Si Rusia dhe Ukraina kanë rënë dakord tashmë në parim për një armëpushim të sulmeve ndaj objekteve energjetike, por ai ende nuk është zbatuar.

Përfaqësuesit e SHBA-së kanë zhvilluar tashmë bisedimet fillestare me një ekip negociator ukrainas të dielën, të cilin ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov e përshkroi si “konstruktiv dhe informues”.