''Qeveria e mobilizuar'', Kryeministri i RMV-së pas zjarrit në diskotekë: Humbja e kaq shumë jetëve të të rinjve, e pariparueshme
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski e ka cilësuar një ditë të trishtueshme për vendin ngjarjen tragjike në diskotekën në Koçan, ku për shkak të një zjarri mbetën viktimë mbi 50 të rinj.
“Kjo është një ditë e vështirë dhe shumë e trishtueshme për Maqedoninë! Humbja e kaq shumë jetëve të të rinjve është e pariparueshme, dhe dhimbja e familjeve, njerëzve të dashur dhe miqve është e pamatshme.
Në këto momente trishtimi të thellë, mendimet tona janë me ata që kanë humbur të dashurit e tyre.
Të lënduarve ju uroj shërim të shpejtë, ndërsa familjeve të të ndjerit forcë për ta përballuar këtë humbje të paimagjinueshme”, ka shkruar kryeministri Hristijan Mickoski në Facebook.
Kryeministri Mickoski u bën thirrje të gjitha institucioneve kompetente që të marrin masa urgjente për të ndihmuar të lënduarit dhe për të mbështetur familjet e prekura.
Ai paralajmëroi se gjatë ditës do t’i drejtohet opinionit me më shumë informacione për hapat e ndërmarrë.
“Qeveria është plotësisht e mobilizuar dhe do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të përballuar pasojat dhe për të përcaktuar shkaqet e kësaj tragjedie.
Gjatë ditës, pas shqyrtimit të rrethanave pranë institucioneve kompetente, do t’i drejtohem publikut me më shumë informacion për hapat e ndërmarrë.
Në këto momente trishtimi të thellë, kur zemrat tona janë thyer me dhimbje për shkak të kësaj tragjedie të tmerrshme, bëj thirrje për unitet, solidaritet, humanizëm dhe përgjegjësi”, thotë Mickoski.
