Starmer: Putini duhet të ndalojë së luajturi lojëra me paqen
Presidenti rus, Vladimir Putin duhet të ndalojë së luajturi lojëra me armëpushimin dhe të vijë në tryezën e bisedimeve, tha kryeministri britanik, Keir Starmer.
Kryeministri do të organizojë sot një videotelefonatë me liderët botërorë nga 25 vende, për të diskutuar paqeruajtjen në Ukrainë – një mision paqeruajtës që ai e ka quajtur “koalicioni i të gatshëmve”.
Vendet evropiane, Komisioni i BE-së, NATO, Kanadaja, Ukraina, Australia dhe Zelanda e Re pritet të marrin pjesë në takimin virtual, i cili do të shqyrtojë mënyrat se si do të kontribuojë në koalicion secili nga vendet.
Vendet e përfshira do të punojnë për të penguar agresionin e ardhshëm rus nëse një marrëveshje paqeje ndërmjetësohet nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump.
Kievi ka dhënë mbështetjen e tij për propozimin e SHBA-së për armëpushim 30-ditor, por Kremlini deri më tani ka vazhduar luftimet dhe Putini dhe zyrtarët e tij sugjeruan se do të binin dakord vetëm nëse përmbusheshin një sërë kërkesash.
“Ne nuk mund të lejojmë që presidenti Putin të luajë lojëra me marrëveshjen e presidentit Trump. Mospërfillja e plotë e Kremlinit për propozimin e presidentit Trump për armëpushim shërben vetëm për të demonstruar se Putini nuk është serioz për paqen”, tha Starmer përpara takimit të liderëve botërorë.
“Nëse Rusia më në fund vjen në tryezën e bisedimeve, atëherë ne duhet të jemi të gatshëm të monitorojmë një armëpushim për të siguruar që ai të jetë një paqe serioze dhe e qëndrueshme. Nëse nuk e bëjnë, atëherë ne duhet të sforcojmë çdo gjë për të rritur presionin ekonomik ndaj Rusisë për të siguruar një fund të kësaj lufte”, theksoi ai.
Më herët, Putini tha se “ideja ishte e saktë dhe se ai e mbështeste atë”, por sinjalizoi se donte që Ukraina të hiqte dorë nga ambicis për t’u bashkuar me NATO-n dhe nga kontrolli i rajoneve të pushtuara nga rusët gjatë rrjedhës së luftës, përpara se të pranonte të ndalonte luftimet.
Ndërkohë, Trump i ka kërkuar homologut të tij rus, të kursejë jetën e ushtarëve ukrainas, të cilët tani e kanë gjetur veten të rrethuar në rajonin Kursk të Rusisë, duke thënë se Putini mund të parandalojë një “masakër të tmerrshme”.

