Zemërim dhe pakënaqësi në Greqi/ Lajmërohet protesta e rradhës në 28 shkurt
Greqia po përgatitet për një nga grevat dhe protestat më të fuqishme të viteve të fundit, që do të zhvillohet më 28 shkurt, në përvjetorin e dytë të tragjedisë së Tempit, ku dy trena u përplasën dhe humbën jetën 57 pasagjerë, shumica prej tyre studentë.
Protestat dhe grevat janë shoqëruar nga një humbje e besimit të qytetarëve në drejtësinë dhe qeverinë pas dy vitesh, ku nuk është gjetur ende një fajtor dhe ka pasur përpjekje nga politikanët dhe drejtësia për të mbuluar provat e ngjarjes.
Sondazhet e fundit tregojnë se partia në fuqi, Demokracia e Re, ka humbur shumicën e mbështetjeve, me 68% të grekëve që nuk besojnë se do të vendoset drejtësia për tragjedinë. Pjesa më e madhe e qytetarëve janë të pakënaqur me përpjekjet e qeverisë, drejtësisë dhe opozitës parlamentare për të zbardhur ngjarjen, duke kritikuar veprimet e kryeministrit Mitsotakis për përpjekjet e tij për të mbuluar çështjen.
Sindikatat dhe konfederatat e sektorëve publik dhe privat, transportet tokësore, detare dhe ajrore, dhe bizneset e vogla, si restorantet dhe bare, do të paralizojnë aktivitetin. Protestat do të zhvillohen në më shumë se 70 qytete të mëdha të vendit dhe do të mbahen gjithashtu në shumë kryeqytete evropiane, duke përfshirë Tiranën, në kujtim të viktimave, pesë prej të cilëve kishin origjinë shqiptare.
Protestat dhe grevat janë shenjë e zemërimit të qytetarëve për mungesën e drejtësisë dhe përpjekjet për të fshehur përgjegjësitë e tragjedisë.
