Tuchel arrin marrëveshjen me Anglinë para sfidës me Shqipërinë

Trajneri i ri i Anglisë, Thomas Tuchel, ka arritur një marrëveshje me Federatën Angleze për të jetuar mes Anglisë dhe Gjermanisë.

51-vjeçari nënshkroi një kontratë 18-mujore tetorin e kaluar për të zëvendësuar Gareth Suothgate.

Gjermani e nisi zyrtarisht punën e tij me një rrogë prej 5 milionë paundësh në vit më 1 janar.

Që atëherë ai është parë në stadiumet e Premier Ligës në të gjithë vendin.

Por, sipas “The Times”, Tuchel ka humbur tashmë tri raunde të ndeshjeve të kampionatit dhe kupave.

FA ka rënë dakord që Tuchel mund të bëjë udhëtime të rregullta në Gjermani për të parë familjen e tij.

Ish-trajneri i Çelsit e ndoqi ndeshjen e tij të parë në Premier Ligë më 4 janar, ndërsa ishte i pranishëm në duelin mes Totenhemit dhe Njukasëllit.

Që atëherë ai ka ndjekur edhe 16 ndeshje të tjera brenda dhe jashtë vendit, duke përfshirë sfidat e Champions-it. Por ai nuk ka qenë i pranishëm në ndeshjet e raundit të tretë të Kupës FA dhe në 3 javë të Premier Ligës.

I pyetur nga “talkSPORT” se sa shpesh do të ishte në bazën kombëtares “St George’s Park”, ai tha: “Shumë rregullisht, kjo është shtëpia jonë.

Do të jem aty, përndryshe nuk mund të krijojmë atmosferën që duhet për 18 muajt që kemi bashkë”.

Tuchel po përgatitet për ndeshjen e tij të parë në krye të “Tre Luanëve”, kundër Shqipërisë më 21 mars në “Wembley”, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026.