Shpenzimet e partive në Diasporë/ Eksperti i KRIIK, Taulla: Probleme në raportimin e financave, PS dhe PD harxhojnë më tepër

Shpenzimet e partive politike në diasporë mbeten ende të paqarta teksa në 12 mars pritet që të raportojnë sa i përket harxhimeve të bëra gjatë vitir 2024.

Eksperti i KRIIK, shpjegon për Ora News se shpenzimet më të shumta janë kryer nga dy partitë më të mëdha por as partitë e vogla nuk janë pas.


Ndonëse fushata e partive politike për zgjedhjet parlamentare pritet të nisë në 11 prill, takimet elektorale jashtë Shqipërisë kanë nisur që prej vitit të kaluar.

Kjo do t’i shtojë punën Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për verifikimin e shpenzimeve të harxhuara gjatë kësaj periudhe. Eksperti i KRIIK, Dritan Taulla shpjegoi se çdo forcë politike ka kohë deri në 12 mars për të raportuar shpenzimet gjatë vitit 2024 të çdo takimi elektoral.

‘’Kemi pasur aktivitete qartazi me qëllim elektoral duke filluar që nga viti i shkuar''.

Pa dhënë një shifër specifike, thekson se shpenzimet më të shumta janë kryer nga dy partitë më të mëdha.

‘’Në fund të fundit një parti që është më e madhja që ka më shumë resurse sigurisht që do të ketë një avantazh ndaj partive që kanë më pak''.

Por shpjegoi se edhe partitë e vogla nuk mbeten pas.

''Por ka edhe nga partitë e vogla që kanë bërë takimë në Diasporë’’.

Fondet e shpërndara për forcat politike gjatë periudhës së zgjedhjeve sipas Taullës krijojnë një lloj pabarazie.

Megjithatë thekson problemin që vjen tek raportimet në KQZ pasi sipas tij shumicën e rasteve nuk deklarohen të plota.

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor përfshirë këtu propozimin e Damian Gjiknurit që kandidatët të vetëfinancohet dëri në shifrën e 30 milionë lekëve pritet që të votohen gjatë seancës të së hënës në parlament.