EMRI/ Në kërkim nga Italia, arrestohet në Gramsh 39-vjeçari
Policia e Shtetit finalizon operacionin policor të koduar “Operacionalja 26”. Arrestohet në Gramsh një 39-vjeçar i dënuar në Itali për trafikim të lëndëve narkotike
Policia e Shtetit tha sot se ka finalizuar operacionin policor të koduar “Operacionalja 26”, të zhvilluar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale (Fast Albania), në bashkëpunim me autoritetet italiane.
Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve dhe koordinimit me homologët italianë, shërbimet policore lokalizuan dhe arrestuan në Gramsh shtetasin Oltjon Shtylla, 39 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Apelit e Firences me 4 vjet e 8 muaj burgim, për trafikim të lëndëve narkotike, kryer në kuadër të një organizate kriminale.
Aktualisht, Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Romën për të finalizuar procedurat e ekstradimit të tij drejt Italisë, ku do të vuajë dënimin e dhënë nga drejtësia italiane.
Policia e Shtetit thotë se po vijon operacionet dhe bashkëpunimin ndërkombëtar për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para drejtësisë.

