“Vetëm një ligësirë thotë që unë kontrolloj SPAK-un”, Rama: Gjithë kjo urgjencë për të burgosur Veliajn dhe jo për 21 janarin

Kryeministri Edi Rama thotë se 21 janari duhet ndëshkuar nga SPAK, teksa iu përgjigj komentuesve në rrjete sociale gjatë një bashkëbisedimi live, teksa i kërkonin hetimin e çështjes.

Rama u shpreh se nuk ka urgjencë për 21 janarin ku u vranë 4 protestues, por pati një urgjencë të madhe për të arrestuar kryebashkiakun e Tiranës, duke mos pasur prova.

“Çfarë duhet të bëj unë për 21 janarin? Duhet të jesh i një ligësie, të mendosh që SPAK e kontrollon Edi Rama. SPAK nuk është vegël e askujt, kjo është shumë e qartë.

Kërkojani SPAK 21 janarin, çfarë më kërkoni? Nuk ikën 21 janari pa u ndëshkuar, por nuk e jap unë ndëshkimin. 21 janari, drejtësia vonon, por në fund nuk harron.

Urgjencë e madhe për të arrestuar kryetarin e bashkisë? Pse nuk ka urgjencë për 21 janarin, janë vrarë 4 njerëz. Çfarë duhet të bëj unë? Ta bëj unë?

Ka vdekur ajo kohë, por ka ndekur edhe ajo kohë kur partria, kryeministri kontrollonte drejtësinë. Pllakën e varrit të asaj kohe ia kam vënë unë dhe PS. Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të shqetësohet.

Ne nuk jemi nga ata që mbajmë armiqësi, por çdokujt i japim hakun e vet. Çfarë trysnie? Bëni punën atje, merrni paga të jashtëzakonshme. Për këtë shqetësohuni.”, theksoi ai.